Franca njeh zyrtarisht shtetin palestinez
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se vendi i tij njeh zyrtarisht shtetin palestinez. Udhëheqësi francez tha se me këtë vendim ai po vepron në interes të paqes, mes kritikave nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara. “Në përputhje me zotimin historik të shtetit tim ndaj Lindjes së Mesme, paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, sot njoftoj…

Bota
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se vendi i tij njeh zyrtarisht shtetin palestinez. Udhëheqësi francez tha se me këtë vendim ai po vepron në interes të paqes, mes kritikave nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.
“Në përputhje me zotimin historik të shtetit tim ndaj Lindjes së Mesme, paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, sot njoftoj se Franca njeh shtetin e Palestinës”, tha Macron gjatë fjalimit në Kombet e Bashkuara, teksa delegacioni palestinez mirëpriti vendimin.
Macron e bëri publik lajmi në nisje të samitit për palestinezët, takim që po mbahet në OKB. Por, as ky takim, e as njoftimet për njohjen e shtetit palestinez nuk pritet të kenë ndonjë ndikim real në terren, ku Izraeli po kryen një ofensivë të madhe në Rripin e Gazës dhe po zgjeron vendbanimet në Bregun e pushtuar perëndimor.
Në samitin në OKB, presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, do të adresohet përmes video-lidhjes, pasi atij dhe dhjetëra zyrtarëve të lartë palestinezë iu refuzuan vizat nga Shtetet e Bashkuara, duke ua pamundësuar pjesëmarrjen në konferencë.
Një ditë më parë, Britania, Kanadaja dhe Australia njohën zyrtarisht shtetin palestinez, duke iu bashkuar shteteve të tjera në një lëvizje që synon ringjalljen e përpjekjes për zgjidhjen me dy shtete. Palestinezët presin që në total dhjetë shtete të marrin këtë vendim në ditët në vijim.
Rreth tre e katërta e 193 anëtarëve të OKB-së e njohin shtetin palestinez, por shumica e shteteve perëndimore deri më tani kanë refuzuar ta njohin, duke thënë se deri te ky vendim do të vijnë pasi të kenë zhvilluar negociata me Izraelin.
Palestinezët kanë mirëpritur lëvizjet drejt njohjes, duke shpresuar se një ditë këto do të çojnë drejt pavarësisë.
Njoftimet e fundit vijnë teksa lufta në Gazë, që nisi më 7 tetor pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – po vazhdon.
Krijimi i një shteti palestinez pranë Izraelit në Bregun Perëndimor, Gazë dhe Jerusalemin Lindor – territore të pushtuara nga Izraeli në Luftën e Lindjes së Mesme më 1967 – shihet gjerësisht si mënyra e vetme për zgjidhjen e konfliktit, i cili ka nisur mbi një shekull më parë.
Qeveria e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, e kundërshton shtetësinë palestinez. Pas nisjes së luftës në Gazë, ai ka thënë se një lëvizje e tillë do të shpërblente Hamasin.
Ai ka lënë të kuptohet se Izraeli mund të ndërmarrë hapa të njëanshëm për t’u përgjigjur, përfshirë aneksimin e pjesëve të Bregut Perëndimor, gjë që do ta bënte edhe më të pamundur krijimin e një shteti palestinez në të ardhmen.
Netanyahu po përballet me presion nga koalicioni i tij i ekstremit të djathtë që të shtyjë përpara idenë e aneksimit, por Emiratet e Bashkuara Arabe e ka cilësuar si “vijë të kuqe”, duke thënë se një vendim i tillë do të ndikonte në raportet mes dy shteteve.
Netanyahu ka thënë se ai do të vendosë se si Izraeli do të përgjigjet ndaj lëvizjes për njohjen e shtetësisë palestineze pas takimit me presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë, që do të mbahet javën e ardhshme. Ky do të jetë takimi i tyre i katërt që kur Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar.
Administrata Trump po ashtu kundërshton njohjen e shtetësisë palestineze, duke thënë se këto vendime po pengojnë bisedimet për arritjen e një armëpushimi në Rripin e Gazës./REL