Franca liron të dyshuarin e arrestuar për vrasjen e Khashoggi

Një person, i cili u arrestua nën dyshimet për pjesëmarrje në vrasjen e gazetarit të Washington Post, Jamal Khashoggi, është liruar sot pasi autoritetet franceze pranuan se e kishin identifikuar gabimisht.

Bota

08/12/2021 23:07

Personi në fjalë u ndalua dje në një aeroport të Francës, pasi u konfirmua se nuk ishte bashkëpunëtor në vrasjen e Khashoggi, por një civil.

Zyrtarët kishin zbuluar një njoftim të kuq të Interpolit për 33-vjeçarin Khaled Aedh A. se po kërkohet me fletarrest ndërkombëtar pasi i përkiste një skuadre vrasëse që vrau Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor 2018 dhe më pas iu zhduk trupi i tij.

“Kontrollet kishin treguar se një urdhër arresti nuk i referohej personit në fjalë”, tha prokurori i Parisit Remy Heitz.

Policia kufitare franceze besonte se kishte arrestuar ish-oficerin e sigurimit të Princit të Kurorës, për të cilin thuhet se ka qenë në konsullatën në Stamboll në kohën e vrasjes.

Radio France Inter raportoi se kontrollet kufitare në aeroport kishin krahasuar dhe skanuar pasaportën e të dyshuarit me pasaportën që autoritetet turke i kishin dërguar. Përveç emrit dhe datëlindjes, në pasaportë regjistroheshin edhe të dhëna biometrike.

Dyshimet për identitetin e të arrestuarit kanë lindur tashmë mbrëmjen e së martës.

Ambasada e Arabisë Saudite në Paris tha për Reuters se kishte një ngatërrim dhe se burri i arrestuar në aeroport nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e Khashoggi. Ambasada më vonë publikoi një komunikatë në Twitter, ku kërkonte “lirimin e menjëhershëm” të të arrestuarit.

Gjyqësori i Arabisë Saudite ka shpallur vendimin për fajtorët dhe ata aktualisht janë duke vuajtur dënimin.

Vrasësit e dyshuar të gazetarit të Arabisë Saudite thuhet se kanë qenë 15 anëtarë të gardës mbretërore të Princit të Kurorës dhe sundimtarit de fakto Mohammed bin Salman. Autoritetet turke dhe amerikane supozojnë se Princi i Kurorës urdhëroi vrasjen. Pas disa javësh mohime, Riadi më në fund pranoi në vitin 2018 se Khashoggi ishte vrarë “në një mision arrestimi të pasuksesshëm”.

Një gjyq i 26 të pandehurve në këtë rast ka vazhduar në Stamboll për më shumë se një vit. Të dyshuarit kryesorë janë një ish-këshilltar i afërt i Princit të Kurorës dhe ish-zëvendës shefi i inteligjencës së vendit. Ata akuzohen për nxitje të të pandehurve.