Formimi i qeverisë, Murati: Po presim certifikimin e rezultateve
Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se po presin përfundimin e procesit të numërimit të votave, certifikimin e rezultateve, dhe më pas të diskutohet për formimin e qeverisë. Këtë deklaratë e bëri pas konferencës së përbashkët me zëvendëspresidentin e Bankës Botërore për Financimin e Zhvillimit, Akihiko Nishio. “Në lidhje…

Lajme
Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se po presin përfundimin e procesit të numërimit të votave, certifikimin e rezultateve, dhe më pas të diskutohet për formimin e qeverisë.
Këtë deklaratë e bëri pas konferencës së përbashkët me zëvendëspresidentin e Bankës Botërore për Financimin e Zhvillimit, Akihiko Nishio.
“Në lidhje me këtë çështje po besoj vlen ajo çfarë ka thënë kryeministri. Pra që fillimisht do të presim përfundimin e procesit të numërimit, certifikimin e rezultateve, konstituimin e Kuvendit e pastaj edhe mund të flasim për formimin e qeverisë”, tha Murati.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë e ka miratuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Sipas këtyre rezultateve Lëvizja Vetëvendosje prin me 42.30 për qind. E dyta Partia Demokratike e Kosovës me 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me18.27 për qind.
Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate me 7.06 për qind.
Sipas këtyre të dhënave LVV-ja ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, 24 ulëse, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.