Fondacioni “Nobel”: Nuk tërhiqet vendimi për laureatin Peter Handke

Vendimi i Akademisë suedeze që t’i ndajë çmimin Nobel për letërsi, austriakut Peter Handke, ka nxitur reagime të jashtëzakonshme, duke qenë se Handke ka qenë një përkrahës i regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Lajme

12/10/2019 11:52

E lidhur me këtë, sekretari i Akademisë Suedeze ka folur për New York Times.

Mats Malm, është shprehur se “nuk është në mandatin e akademisë të balancojë kualitetin letrar në raport me qëndrimet politike”.

Në anën tjetër, CNN gjithashtu ka kërkuar nga Fondacioni Nobel sqarime lidhur me vendimin për t’ia dhënë Handkes çmimin për letërsi.

Nga ky fondacion kanë thënë se nuk i komentojnë përzgjedhjet të cilat jepen nga institucionet të cilat zgjedhin laureatët për Çmime Nobel.

Ndarja e këtij çmimi për shkrimtarin kontrovers, Peter Handke i cili ishte mbështetës i Millosheviqit dhe përkrahës i masakrave të mëdha që bëri në Ballkan ai, ka shkaktuar shumë reagime.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe ambasadorja e Republikës së Kosovës në Washington, Vlora Citaku, ish-ministri i Jashtëm, Petrit Selimi, shkrimtari me famë botërore, Selman Rushdie e historian nga Britania e Madhe, të cilët janë shokuar me një vendim të tillë të Akademisë Suedeze.

Lidhur me këtë kanë reaguar edhe Shoqata të njohura të shkrimtarëve si ajo PEN e SHBA-ve, por duket se kjo nuk do të ndikojë të tërhiqet ky vendim. /Lajmi.net/