FOL apelon për ruajtjen e pavarësisë së gazetarisë në Kosovë
Lëvizja “FOL” përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimin e thellë për gjendjen e lirisë ë media në Kosovë, e cila vazhdon të përkeqësohet. “FOL” në reagim thotë se raporti i Reporterëve pa Kufij e ka vendosur Kosovën në rangun më të ulët që nga paslufta, duke shënuar rënie të theksuar në indeksin global…

Lajme
Lëvizja “FOL” përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimin e thellë për gjendjen e lirisë ë media në Kosovë, e cila vazhdon të përkeqësohet. “FOL” në reagim thotë se raporti i Reporterëve pa Kufij e ka vendosur Kosovën në rangun më të ulët që nga paslufta, duke shënuar rënie të theksuar në indeksin global të lirisë së shtypit.
“Lëvizja FOL shpreh shqetësim të thellë për lirinë e medias që po përballet me kufizime, linçime dhe mungesë të transparencës nga ana e institucioneve shtetërore ndaj mediave dhe gazetarëve dhe ri-kujton se liria e medias nuk është vetëm një detyrim ligjor, por është një nga shtyllat e demokracisë dhe si e tillë duhet të ruhet dhe respektohet nga të gjitha institucionet e vendit”, thuhet në reagim.
Lëvizja FOL i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve tjera të ndalojnë çdo formë presioni, ndërhyrje ndaj gazetarëve dhe të krijojnë një kulturë bashkëpunimi me median si partnere për transparencën dhe informimin e qytetarëve.
“Gjithashtu kërkojmë nga udhëheqësit politikë të tregojnë përgjegjësi më të lartë në promovimin e një diskursi që respekton lirinë e medias dhe pavarësinë e saj”, thuhet në njoftim.
“Në këtë ditë, shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë gazetarët, që në përmbushje të misionit të gazetarisë për informim të drejtë dhe të saktë pavarësisht sfidave, presioneve apo kërcënimeve, vazhdojnë të ushtrojnë profesionin e tyre në mënyrë të shkëlqyer”, shton tutje “FOL”
Lëvizja FOL ua ka rikujtuar institucioneve publike se vetëm përmes bashkëpunimit me median, mund të ndërtojë besim me publikun dhe të forcojë demokracinë në Kosovë.
“Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave për të gjithë gazetarët që nuk heshtin përballë presioneve dhe mbrojnë të drejtën për informim!”, përfundon reagimi i “FOL”.