FMN mbështet mosngritjen e pagave për shërbyesit civilë
Mosngritja për 25 për qind e rritjes së rrogave, që ishte premtuar nga ish- kryeministri Hashim Thaçi, nga ana e qeverisë së re të koalicionit, me në krye me Isa Mustafën, është përkrahur nga shefi i misionit të FMN-së për Kosovën, Jacques Miniane.

Lajme
Ai ia ka thënë këtë Mustafës në takimin e përbashkët që kanë pasur në zyrën e kryeministrit. Shefi i Misionit, Jacque Miniane citohet të ketë thënë se vendimin që pagat të lëvizin konform zhvillimeve ekonomike e ka quajtur vendim të guximshëm dhe të mirë për Kosovën.
Ai thuhet ta ketë përgëzuar kryeministrin Mustafa për seriozitetin dhe profesionalizmin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në raport me çështjen e shpenzimeve buxhetore.
Sipas Mustafës, korniza aktuale e Buxhetit të Kosovës duhet të jetë e orientuar në atë formë që të krijojë mundësi për zhvillim, sidomos në sektorin privat të ekonomisë.
Gjatë këtij takimi, kryeministri Mustafa dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, diskutuan me përfaqësuesit e FMN-së edhe për projektet kapitale dhe agjendën e implementimit të tyre.
Në këtë takim thuhet se janë diskutuar edhe modalitetet e bashkëpunimit me FMN-në dhe është arritur pajtimi që në muajt në vijim të vlerësohet nëse Kosova ka nevojë për program me FMN-në, si dhe të shihet se cili program është më i mirë për rrethanat ekonomike të Kosovës.