​FMN-ja parasheh këtë përqindje të rritjes ekonomike në Kosovë

Këshilli i Ekzekutivit të Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundoi rishikimin e katërt dhe të fundit të Marrëveshjeve të Stand-By dhe të Shpërblimit të Qëndrueshmërisë për Kosovën, njofton FMN. Sipas FMN-së, pavarësisht pasigurisë nga tensionet tregtare, rritja ekonomike në Kosovë pritet të mbetet në katër për qind në vitin dymijë e njëzet e pesë. Po ashtu FMN…

Lajme

20/05/2025 17:09

Këshilli i Ekzekutivit të Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundoi rishikimin e katërt dhe të fundit të Marrëveshjeve të Stand-By dhe të Shpërblimit të Qëndrueshmërisë për Kosovën, njofton FMN.

Sipas FMN-së, pavarësisht pasigurisë nga tensionet tregtare, rritja ekonomike në Kosovë pritet të mbetet në katër për qind në vitin dymijë e njëzet e pesë.

Po ashtu FMN njofton se gjatë vitit 2025, inflacioni do të jetë dy pikë njëzet e pesë për qind, transmeton KosovaPress.

“Kosova ka shënuar një performancë të fortë ekonomike, me rritje prej katër pikë katër për qind në vitin dymijë e njëzet e katër, kryesisht për shkak të konsumit të familjeve dhe kredive private. Inflacioni ka rënë në një pikë gjashtë për qind nga katër pikë nëntë për qind në vitin dymijë e njëzet e dy. Deficiti i llogarisë jashtme është zgjeruar në nëntë për qind të PBB-së, pasi rritja e konsumit dhe investimeve çoi në rritjen e importeve. Pavarësisht pasigurisë nga tensionet tregtare, rritja pritet të mbetet në katër për qind në vitin 2025, me inflacionin që stabilizohet në dy pikë njëzet e pesë për qind”, thuhet në komunikatën e FMN-së.

Në kuadër të rishikimit të katërt, FMN tha se “ky rishikim ka mundësuar disbursimin e SDR 13.352 milionë (16.08 milionë euro) në kuadër të SBA-së dhe SDR 7.744 milionë (9.32 milionë euro) në kuadër të RSF-së. Kështu, total i disbursimeve nën RSF arrin në SDR 61.95 milionë (74.61 milionë euro), ndërsa SBA-ja ka arritur në SDR 80.122 milionë (96.5 milionë euro)”.

Më tej thuhet se programet e implementuara kanë arritur të gjitha kriteret e performancës dhe objektivat për fundvitin 2024, duke përfshirë masat strukturore si krijimi i një funksioni për parashikimin e cash-it në Ministrinë e Financave dhe zhvillimin e një plani për vlerësimin e riskut në sektorin bankar. Po ashtu, është realizuar masë për lansimin e një ankandi për ndërtimin e një impianti energjetik me erë, si pjesë e reformave në sektorin energjetik.

Bo Li, zëvendës Drejtor Menaxhues i FMN-së dhe Kryetar i Përkohshëm, tha se “Kosova ka përmirësuar mbledhjen e të ardhurave dhe menaxhimin e investimeve publike, duke rritur transparencën fiskale dhe përmirësuar menaxhimin e riskut fiskal. Reforma të rëndësishme janë bërë dhe në sektorin financiar, duke përmirësuar qeverisjen dhe forcimin e kapitalizimit dhe likuiditetit të bankave”.

“Kjo ecuri pozitive në kuadër të SBA dhe RSF ka mbështetur agjendën e autoriteteve për një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe për përmbushjen e objektivave të klimës dhe energjisë, me fokus në burime të rinovueshme dhe bashkëpunim rajonal”, shtoi ai.