Fletarrest ndërkombëtar për kosovarët që transmetonin filma ilegalisht
Dy vëllezërit, Kastriot dhe Kreshnik Selimi akuzohen për shkelje në përmasa industriale të të drejtës së autorit dhe për shkelje tjera. Për ata është lëshuar një fletarrest ndërkombëtar.
Lajme
Para një jave policia në Pansdorf, vend afër qytetit Lubeck në Gjermani ka bastisur një banesë me qëllim arrestimin e vëllezërve Kastriot dhe Kreshnik Selimi. Ata dyshoheshin për pirateri filmash, gjegjësisht si operatorë të webfaqeve me kopje ilegale të filmave Kinox.to dhe Movie4k.
Por, policët në banesë gjejnë vetëm prindërit e dy vëllezërve. Të kërkuarit ndërkaq kishin marrë arratinë dhe mendohet se ndodhen jashtë vendit ndërsa faqet e tyre të internetit vazhdojnë të jenë në funksion.
Në bastisje ishin gjithsej 46 policë nga landet Niedersachsen, Nordrhein-Westfalen, Schleswig-Holstein dhe Berlin.
Me atë rast janë konfiskuar shumë gjësende dhe të dhëna, të cilat duhet të analizohen. Pasi ka publikuar shumë të dhëna mbi dy vëllezërit, për të cilët nuk përjashtohet të jenë të armatosur, policia ka shpallur edhe një fletarrest ndërkombëtar
Dy vëllezërit, Kastrioti i lindur në vitin 1989 në Kosovë dhe Kreshniku në vitin 1992 në Suedi, akuzohen për shkelje në përmasa industriale të të drejtës së autorit pastaj për bishtnim tatimesh në shumën prej 1.23 milion eurosh, për shantazhim dhe për një rast të zjarrvënies.
Për rastin “Kinox.to” që më shumë identifikohet në bazë të emrit të portalit, po raportojnë medie të shumta gjermane në internet, perfshirë edhe spiegelonline.de, berlinerkurier.de, bild.de, etj.
/Albinfo.ch