Flet vëllai i Mirjeta Shabanit, akuzon dhëndrin Nehat Shabanin se ia vrau motrën dhe i zhduki gjurmët
Pranë urës së Ibrit në Mitrovicë të martën filluan gërmimet e Policisë dhe të njësiteve të FSK-së.

Lajme
Në këtë pjesë po dyshohet se është varrosur Mirjeta Zeka-Shabani nga ky qytet e cila është zhdukur qe një vit e shtatë muaj. Por kërkimet në këtë lokacion përfunduan pa rezultat, ndërsa pritet të fillojnë në një vend tjetër të njohur për organet e rendit për ta kërkuar trupin e Mirjetës.
E familja Zeka po pretendon se Mirjetën e ka mbytur burri i saj, Nehat Shabani dhe më pas e ka varrosur për t’ia humbur gjurmët.
Vëllai i Mirjetës, Mehmedali Zeka tha për gazetën Objektiv se me motrën e kishte parë për herë të fundit me 30 mars të vitit 2019, teksa ajo po bëhej gati për të udhëtuar për në Gjermani ku jetonte në bashkëshortin.
Ndërkohë më vonë, Zeka thotë se kishte telefonuar dhëndëri duke e gënjyer se motra ka ikur nga shtëpia
“Me 30 mars e kam parë motrën për herë të fundit pasi kanë pas me u nis herët për Gjermani se motra ka pas me dalë me datën në 1 në punë. Më ka thirr dhëndëri pas disa muajve më ka thanë ka ikë motra, jam gëzuar të them të drejtën edhe më ka thanë se motra u shkuar ka Afrika diku, motra s’ka ditë me nxjerrë biletë me shku në Gjermani e jo në Afrikë”, tha Zeka.
Zaka shprehet i pakënaqur me punën e Prokurorisë së Mitrovicës, pasi sipas tij nuk është dashtë të lejohet që i dyshuari për zhdukjen e motrës të largohej nga Kosova.
“Me punën e prokurorit nuk jemi të kërkuar hiç, puna e tij është me shku në ora 9 edhe me dalë në ora 4. Prej se e ka marrë lëndët prokurori Njazi Rexha puna u ndalu komplet pasi ia ka kthyer dokumentet të dyshuarit edhe asnjë ditë arrest nuk e ka mbajt. Ai ka shkuar në Gjermani edhe nuk e kanë intervistuar fare”, shtoi Zeka.
Sipas Zekës, dhëndëri pasi ia ka vrarë motrën është kujdesur që është t’i fshijë gjurmët, e për këtë në Kosovë ishin edhe autoritet gjermane për ta bërë ekzaminimin e shtëpisë ku kanë jetuar, pasi i dyshuari ka nënshtetësi gjermane.
“I ka djeg teshat e motrës dhe e ka rinovuar shtëpinë komplet edhe mandej e ka lajmëruar në polici. Policët gjerman kanë qenë në Kosovë dhe se rastin e kemi hap edhe në Gjermani, pasi i dyshuari është shtetas gjerman. Ata kanë kërkuar me kry ekzaminim në shtëpi sepse i kanë mjetet e mira që ka mundësi edhe mbas renovimit që e ka bërë dhëndëri me gjet gjurmë për ta ndriçuar rastin e motrës”, potencoi Zeka.
Motra e tij e zhdukur thotë Zeka ishte keqtrajtuar vazhdimisht nga burri i saj.
“Në fillim kur janë martuar u pat mundu motra me mbajt fshehtë gati një vjet, na tu i bo presion ka tregu, po motrën e ka kërcënuar vazhdimisht dhëndri dhe u frikësuar me tregu se ky e ka kërcënuar edhe me armë. E ka rrah edhe vëllain e vet para motrës. Me motrën nuk kemi mundur as në telefon me fol se nuk e ka lanë me mbajt”, theksoi Zeka.
Ndërkohë siç merr vesh gazeta Objektiv, kërkimet për Mirjeta Zeka-Shabanin pritet të rifillojnë në një lokacion jo larg urës së Ibrit në Mitrovicë.