Flet djali i dëshmorit që s’do privilegje nga fati i tij tragjik

Vendimi për regjistrim me automatizëm në Universitetin e Prishtinës i mbi 1000 studentëve të kategorive të dala nga lufta ka krijuar polemika të shumta.

Lajme

15/11/2014 19:28

Disa po e përkrahin vendimin e ministrit Ramë Buja, ndërsa të tjerë thonë se nuk është në kompetencë të tij, për t’u përzier në punët e Universitetit të Prishtinës, pasi ky institucion ka autonomi të plotë, raporton KTV. 

Por, pavarësisht se për këtë çështje ekziston një marrëveshje e nënshkruar nga udhëheqja e kaluar e universitetit me organizatat e dala nga lufta dhe Ministria e Arsimit, kundër regjistrimit në këtë mënyrë është edhe Riad Asllani, fëmijë dëshmori. 

Ai thotë se prindi i tij ka luftuar për një shtet ligjor, ku do të mbizotërojë e mira dhe që gjithçka të shkojë sipas meritave, e jo për interesat personale të familjes. 

Tash Riad Asllani është 19 vjeçar dhe është në vitin e dytë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike. Ai tregon se është pranuar me merita të plota, pa kurrfarë intervenimi. 

Por këshilltari i ministrit të Arsimit, Arbër Morina, i ka thënë Kohavisionit se ky vendim është i drejtë. Kohavisioni ka tentuar të marrë një prononcim edhe nga zyrtarë të Universitetit të Prishtinës, por një gjë e tillë gjatë tërë ditës së shtunë ishte e pamundur.