​Flamuri amerikan ngritet në oborrin e xhamisë “Bedri Kamberi” në Prishtinë

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, imami kosovar, Labinot Maliqi, ka ngritur flamurin amerikan në oborrin e xhamisë “Bedri Kamberi”, në Lagjen e Spitalit në Prishtinë. Maliqi tha se SHBA-ja është mik e aleat i pazëvendësueshëm për Kosovën. Kjo ceremoni e organizuar sot, për të tretin vit radhazi, Maliqi…

Lajme

04/07/2025 11:00

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, imami kosovar, Labinot Maliqi, ka ngritur flamurin amerikan në oborrin e xhamisë “Bedri Kamberi”, në Lagjen e Spitalit në Prishtinë.

Maliqi tha se SHBA-ja është mik e aleat i pazëvendësueshëm për Kosovën.

Kjo ceremoni e organizuar sot, për të tretin vit radhazi, Maliqi tha se nuk është thjeshtë një akt protokollar, por një shprehje publike e mirënjohjes për kontributin historik të pakrahasueshëm të SHBA-së.

Maliqi u shpreh se SHBA-ja për popullin e Kosovës është më shumë se një aleat strategjik.

Sipas tij, është një partner i pandashëm.

“Sot, në këtë ditë të veçantë të 4 korrikut, pata nderin që të ngriti me respekt të thellë flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në nderim të 249-vjetorit të Pavarësisë së këtij kombi mik e aleat i pazëvendësueshëm për Republikën e Kosovës. Kjo është hera e tretë radhazi që organizojmë këtë ceremoni simbolike në oborrin e xhamisë sonë në Prishtinë. Nuk është thjesht një akt protokollar, është një shprehje publike e mirënjohjes sonë të përhershme për kontributin historik dhe të pakrahasueshëm të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të lirisë, paqes dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës. Shtetet e Bashkuara janë për popullin tonë më shumë se një aleat strategjik. Janë një mik i sinqert, një partner i pandashëm, një shtet qe na qëndroi pranë me shumë se kushdo tjetër, atëherë kur populli ynë po përballej me rrezikun e shfarosjes, kur liria, identiteti dhe vetë ekzistenca jonë ishin në prag te zhdukjes”, tha Maliqi.

Maliqi shprehu mirënjohje edhe për presidentin e SHBA-së, Donald Trump duke thënë se “po afirmon paqen dhe stabilitetin në gjithë Ballkanin Perëndimor”.

“Në këtë ditë, ne e kujtojmë me mirënjohje të thellë edhe rolin e presidentit Donald Trump, i cili në momentet vendimtare qëndroi fort në mbrojtje të Republikës së Kosovës, duke ndaluar përpjekjet e Serbisë për të pushtuar përsëri Kosovën, si dhe duke afirmuar sovranitetin, paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, potencoi Maliqi.

Ngritjen e flamurit, Maliqi e bëri nën shoqërimin e himnit të Amerikës.

Sot, më 4 korrik SHBA-ja feston 249 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.