Të Infektuar: 1123

Të Shëruar: 847

Të Vdekur: 30

Flakareshat që nuk e këndellen Albin Kurtin

19:10 | 2 Prill 2020

Me gjithë goditjet që mori, Albin Kurti po vazhdon të hiqet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ai nuk po e sheh veten as të dorëhequr, as të shkarkuar, por në detyrë. Ai nuk po e sheh veten as si shkelës të Kushtetutës. Por, si shkelës i Kushtetutës më nuk ka as kredi morale që t’i referohet asaj.

Shkruan: Adil Behramaj

Nuk ka politikan në Kosovë që ka marrë më shumë flakaresha politike se Albin Kurti. As për 5 vjet politikanët nuk kanë marrë më shumë se ky për 50 ditë. Asnjë ditë të vetme nuk i janë ndalur dhe sërish nuk është këndellur.

Dy flakareshat më të mëdha ishin shkarkimi nga pozita e kryeministrit dhe shkelja e Kushtetutës me një vendim antikushtetues. Në fakt, shkarkimi me votat e 82 deputetëve, me aq sa mund të ndryshohet edhe Kushtetuta e vendit dhe aktgjykimi që zyrtarisht e bëri shkelës të Kushtetutës së Kosovës janë dy goditje tepër të mëdha, që përjetësisht do i mbesin në biografinë politike. Por, si i tillë, Albin Kurti që hiqet sikur nuk ia lënë fare flakareshat politike, po rezulton të jetë goxha politikan me lëkurë të regjur.

A e zbritën në tokë këto dy goditje? Jo, aspak!

Albini i jep vetes të drejtë absolute dhe nuk ka sugjerim, propozim apo këshillë që ia ndërron mendjen apo e vetëdijeson për shkarjet e përditshme.

Makina politike e Albin Kurtit, në këto 50 ditë qeverisje, u tregua e lodhur dhe e vogël në përmasat e kubikëve. Kolegët e Albinit në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike do e quanin makinë me kapacitet 800cc. Si kryeministër, ai nuk u dha asnjë mundësi minimale as tifozëve të tij, që të mund të krenohen me “trashëgiminë” e tij.

Në rrafshin e brendshëm, ai dëshmoi që nuk di të ndërtojë as partneritet dhe as t’i ruajë partnerët. Flakareshi më i madh që mori brenda 40 ditësh qeverisjeje i erdhi nga partneri i tij. Me psikologji diktatoriale, Albin Kurti e lëndoi edhe anëtarin e madh të koalicionit.

Pa asnjë konsideratë, pa respekt dhe pa përfillje, Albin Kurti shkarkoi nga detyra ministrin më të fuqishëm të qeverisë së tij, pa u konsultuar as me liderin nënshkrues të koalicionit të tij. Pra, ai e injoroi në mënyrë të skajshme dhe me veprime të papërgjegjshme u shkaktoi edhe plagë të thella politike.

Si inxhinier i energjisë elektrike, Albin Kurti çdo qarku politik po i jep “lidhje të shkurtër”. Po i jep kurshlluz, siç i thonë elektricistët, për t’u kuptuar më mirë.

Por, ende më keq, në debatin e zhvilluar në seancën e Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e Qeverisë Kurti, një dishepull besnik i tij e tregoi më së miri verbërinë e tyre politike. Ky deputet i tij, që refuzoj t’i bëj nder për t’ia përmendur emrin, i tha hapur LDK-së se jo vetëm ministrin, por edhe liderin do ia ndërrojnë. Ky është shembull shumë i mirë për ta dëshmuar shpirtin autokrat të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në shpjegimet për shkarkimin e ministrit Veliu nga Qeveria, Albin Kurti disa herë përmendi filozofinë dhe parimet e tij autokratike. Nëse ai është kryeministër, është shef i madh dhe gjithë vartësit e tij në Qeveri, pavarësisht nga cila parti vijnë, vetëm atë e kanë shef. Këtë sikur dëshironte ta përsëriste sa më shpesh, por po aq shpesh edhe harronte që në një shtet demokratik duhet të ketë kulturë të tolerancës dhe respektit për mendimin ndryshe. Megjithatë, leksioni dhe mesazhi i duhur doli. Anëtari i koalicionit dhe skena politike e Kosovës e panë se kush është Albin Kurti dhe sekti i tij politik. As LDK-ja, sado paqësore, nuk e duroi një “flakaresh” të tillë. Përkundrazi, Albinit ia ktheu me shpullë të madhe.

Albin Kurti nuk diti të menaxhojë mirë qysh në ditët e para të qeverisjes. Ai nuk e hoqi tarifën për prodhimet e Serbisë, një vendim i marrë nga Qeveria e mëparshme, ndaj së cilës nuk kishte kurrfarë obligimi. Përkundrazi, u kurthua tërësisht si një brejtës i vogël rreth saj dhe doli nga ky çark i ngrehur vetëm atëherë kur mocioni ia rrezikoi Qeverinë, duke i mbledhur në mesnatë oborrtarët, me të cilët pa fije nderi pjesërisht nisi heqjen e saj.

Me qëndrimin rigjid ndaj tarifës, Albin Kurti e verifikoi filozofinë e tij antiamerikane. Edhe kur e zbuti, ai nuk përmbushi kërkesat e miqve më të mëdhenj të Kosovës, përfaqësuesve të administratës aktuale amerikane. Ndërsa, e gjeti Ditën e Rrenave, 1 Prillin, për të vendosur më pas kinse një reciprocitet gradual.

Pra, në rrafshin e jashtëm, avazin e vjetër të rritjes së antiamerikanizmit nuk e ndali fare. Madje, ai i dredhonte pa fije turpi edhe deklaratat zyrtare të përfaqësuesve amerikanë, sa herë që i duhej ta menaxhonte frustrimin qytetar që derivonte nga veprimet e tij. Pa përtuar fare u armiqësua më gjithë hierarkinë amerikane, që nga sekretari Pompeo dhe më pas Grenell, Palmer dhe Kossnet. Të gjithë këta, njëri pas tjetrit, herë në Munih, herë në Berlin, herë në Uashington e herë në Prishtinë, Albin Kurtit vazhdimisht i dhanë flakaresha politike.

Ambasadori Grenell e quajti publikisht gënjeshtar, ashtu siç e quajnë të gjithë ata që e njohin. Ndërsa, ambasadori Kossnet i dha flakaresha mu në mes të përpjekjeve të fundit të Albin Kurtit për të shpëtuar nga rrëzimi i tij.

Ky antiamerikanizëm si frymë e kultivuar kryesisht prej njerëzve të tij, ka nxitur edhe rryma të ndryshme të radikalizmit në Kosovë, të cilat Albin Kurti i shijon shumë hapur. Thënë me pak fjalë, Albin Kurti i dha fund edhe teorive të konspiracionit që ziheshin për të. Më nuk kanë nevojë të qarkullojnë teori të tilla as për radikalizëm dhe as për antiamerikanizëm, sepse tashmë gjithçka është e dukshme dhe e bollshme për t’u parë.

Përpos shumë flakareshave që mori si kryeministër, ai u zbyth tërësisht edhe nga boshti politik dhe parimor krahasuar me Albin Kurtin opozitar.

Shumë shpejt e harroi bashkimin dhe flamurin kombëtar, kurse flamurin lara-lara dhe himnin pa zë që deri dje i përbuzte, nisi edhe gatitu t’iu qëndrojë.

Me gjithë goditjet që mori, Albin Kurti po vazhdon të hiqet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ai nuk po e sheh veten as të dorëhequr, as të shkarkuar, por në detyrë. Ai nuk po e sheh veten as si shkelës të Kushtetutës, sepse asnjëherë nuk e përmendi atë që Gjykata Kushtetuese e vlerësoi më 31 mars 2020.

Si shkelës i Kushtetutës më nuk ka as kredi morale që t’i referohet asaj. Sikur vetëm pak të kishte fytyrë, sa herë që e përmend atë do të duhej edhe të turpërohej. Aq më shumë kur shkelësit e mëhershëm nuk i kishte mjaftuar t’i quante vetëm kriminelë, por edhe superkriminelë.

Të mos harrojmë faktin se demokracia në Kosovë e ka një histori të natyrshme, por me Albin Kurtin ka shumë tendencë që të bëhet panatyrshme.

Megjithatë, në një shtet që është krijesë amerikane, ku KFOR-i dhe OSBE-ja janë pandashëm mes nesh, frika se mund të instalohet një sistem koreanoverior nuk duhet as të ekzistojë. Ky është një luks i madh i Albin Kurtit, që demokracia jonë nuk ia duron!

Ai kot e luan rolin e liderit proletar e populist, kur në ditët me shi e mban edhe çadrën vetë. Kot e nxjerr edhe gjoksin përpara duke e shikuar vetveten si personazh hero, të ngjashëm me protagonistët e filmave të realizmit socialist. Kot e konsideron veten edhe si komisar të ngritur ideologjikisht apo si një moralist puritan, sepse është bërë i bezdisshëm, ngjashëm sikurse një sofist i padëshiruar, që dy herë askush nuk e dëgjon.

Nuk di edhe sa goditje e flakaresha politike duhet ai t’i marrë, që ta kuptojë se skena politike dhe qeverisja demokratike nuk e durojnë një profil të tillë politikani. Por, si subjekt politik, si rrallëherë në historinë e shteteve parlamentare, kanë mbetur tërësisht vetmitar. I vetmuar për shumë kohë do të jetë edhe Albin Kurti, i cili pas dy dekadave si opozitar, me vetëm 50 ditë qeverisje, ia humbi të gjitha mundësitë vetes që ndokush t’i bashkohet në partneritet si vullnetar!

(Autori është këshilltar politik i presidentit Thaçi. Qëndrimet e shprehura janë personale.)