Fitorja poetike
Shkruan: Ridvan Emini
Opinion
Fitorja poetike*
Albin Kurti duhet sa më parë ta krijoj Qeverinë. Këtë duhet mundësuar partnerët e koalicionit, në këtë rast LDK dhe partitë e tjera, por këtë duhet mundësuar edhe partitë opozitare parlamentare.
Qeveria Kurti duhet të ndodh, sepse ashtu është kërkuar më shumë se një dekade nga partia e tij e cila fliste në emër të popullit, e cila fliste për popullin dhe e cila ‘rrjedh’ nga populli. Ky ligjërim me 6 tetor mbizotëroj, ani pse në një moment shumë të papërshtatshëm për partinë e Kurtit.
Qytetarët tani dëshirojnë ta shohin qeverisjen e tij, sepse ai dhe partia e tij kanë shpërnda kritika, dhunë, frikë, propagandë me dekada për cilëndo qeverisje, për cilin do lider të partive të tjera, por edhe për cilin do gjykatës e prokuror, madje edhe për cilindo qytetar i cili kishte mendim ndryshe nga ai apo që përkrahte ndonjë subjekt tjetër politik, duke i quajtur ata si mbështetës dhe participues në krim vetëm pse ishin simpatizant të partive politike të cilat ishin në pushtet.
Populistët gjithnjë e vënë në ballë ‘popullin’ kundër të korruptuarve dhe kundër nepotizmit ashtu siç e bëri edhe Albini. Pra, duke vendosur vetën në ballë të popullit, ai nuk bëri asgjë tjetër përveç se arriti në pikën kulmore prej një populisti, andaj është e ‘domosdoshme’ që ta qeverisë vendin dhe të merret me problemet reale të qytetarëve dhe Shtetit të cilin e kishte shantazhuar me vite të tëra duke mos njohur as territorin, as kushtetutën e as simbolet e tij.
“Me Lëvizjen Vetëvendosje në Qeveri, udhëheq populli”, me “Albinin kryeministër, fiton populli”, pra “Populli ka vendosur, Albini Kryeministër”, OK duhet t’i thënë të gjithë oponentët e tij politik.
Populizmi si mjet
E kaluara politike njeh shumë shembuj se si është përdorur populizmi për arritjen e qëllimeve politike. Një gjë e tillë viteve të fundit është në rritje e sipër. Albini që nga fillimi i aktivizmit të tij në Vetëvendosje e proklamonte gjithnjë se “Lëvizja përfaqëson popullin dhe interesat e tij”, për dallim nga Qeveritë e Republikës, të cilat sipas tij përfaqësonin krimin, korrupsionin dhe gjithçka tjetër që mund t’i vihet në kurriz popullit. Tani Albinit duhet t’i epet mundësia që ta kontrollon ekzekutivin dhe të merret me problemet reale të Shtetit dhe qytetarëve. Por, ai mos të na e luaj lojën e moçme se nëse partitë politike e kundërshtojnë Albinin (kryeministrin), kundërshton popullin.
Albini nuk e ka përfaqësuar asnjëherë popullin, pavarësisht retorikës së tij, tani e ka seancën që ta përfaqësoj atë (ani pse ai ka marrë pak diçka më shumë se 26% të votave), por në asnjë mënyrë ai nuk mund të identifikohet me popullin sepse nuk është Ai populli, është vetëm përfaqësues asgjë më shumë e asgjë më pak dhe duhet ta kryej punën e shërbëtorit të popullit me nderë. Populizmi i Albinit përkon me atë të Chavezit dhe të Erdoganit nëse analizohen parullat e këtyre, por ka diçka të përbashkët në këtë edhe me Trampin, kur flasin për bashkimin e popullit, pra bashkimi i popullit ka rëndësi ndërsa pjesa tjetër s’ka asnjë peshë të vetme. Por, këtu Albini sërish ka vazhduar konsistencën e tij në mos-konsistencë, duke ndryshuar mendje rreth bashkimit, duke e shtyrë atë punë për kohë më të mira ekonomike.
Mënyra se si ka mbijetuar në skenën politike Albin Kurti është krejtësisht e qartë, duke kundërshtuar gjithçka. Kjo në vitet e fundit mori përkrahje dhe si rezultat i asaj përkrahje arriti që të rikthej pas disa vitesh në terren polarizimin e shoqërisë. Kjo për një populist natyrisht se nuk përbënë shqetësim e as problem, sepse është rruga e vetme për të arritur në pushtet.
Fitorja e parakohshme
Momentumi më i papërshtatshëm për të dalë triumfues në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit ishte për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe për Lëvizjen Vetëvendosje. AAK natyrisht se u penalizua nga qytetarët sepse krijoi irritim me keq-qeverisje dhe me punësimet enorme të militantëve të saj sikurse edhe Nisma e cila ishte pjesë e qeverisjes e ku tani së bashku me PSD-në po luftojnë për ‘mbijetesë’ parlamentare. Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje arriti të ruaj votën e saj, dhe të dalë e para, përkundër ndarjes që kishte pas zgjedhjeve lokale të vitit 2017. LVV fitoi në një momentum krejtësisht jo të përshtatshëm për të, sepse qeveritë e më pashme në tavolinë i kanë lënë disa tema me të cilat duhet të merret qysh në ditën e parë të qeverisjes. Dialogu me Serbinë, taksa dhe pozicioni jo i favorshëm i Kosovës në arenën ndërkombëtare janë ‘patatet’ e nxehta për Qeverinë Kurti.
Por, Albini është një kameleon, i cili ndryshon përherë në çfarëdo rrethane të re, por asnjëherë nuk është ai i cili proklamon se është.
(Këtë titull e kam huazuar nga një mik i imi, i cili më kishte thënë gjatë javës së fundit të fushatës zgjedhore se Albin Kurti është duke e krijuar një epërsi ndaj kundër kandidatëve të tjerë vetëm me retorikën e tij poetike e cila në esencë është krejtësisht e zbrazët, por në teren po kryente punën siç është më së miri.)