Fitorja ime po vjen

Hashim Thaçi thotë se Agim Çeku është adresa e saktë dhe e vetme për Kryetar të Prishtinës. E vetë Çeku u shpreh se po e sheh qysh tash fitoren e tij në Prishtinë, e cila sipas tij, është më afër se kurrë.

Lajme

21/10/2013 13:57

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me kandidatin e kësaj partie për Kryetar të Prishtinës, Agim Çeku kanë shëtitur së bashku, pjesën e vjetër të kryeqytetit.

Gjatë shëtitjes ata kanë zhvilluar takime të shkurta me qytetarë të rastit, nga të cilët kanë kërkuar që të votojnë për PDK’në, më 3 nëntor.

Thaçi e Çeku e kanë nisur shëtitjen e tyre nga Xhamia e Madhe dhe e kanë përfunduar atë në afërsi të objektit të Komunës së Prishtinës, duke shpresuar në udhëheqjen e saj, pas 3 nëntorit.

Kryeministri Thaçi tha se e vetmja adresë e saktë për Prishtinës është kandidati i PDK’së, Agim Çeku.

“I ftoj të gjithë njerëzit në Prishtinë, të cilët kanë disponim dhe vullnete për të ndodhur qeverisja e mirë, që të dalin dhe të votojnë PDK’në dhe numrin 99”.

“Adresa e saktë dhe e vetmja për Prishtinën është kryetari Çeku”.

“Të gjitha projektet që ka prezantuar zoti Çeku, janë projekte që do ta kenë edhe mbështetjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

“Unë dëshiroj t’i falënderoj qytetarët e Prishtinës për gatishmërinë e tyrepër të dal në zgjedhje. I falënderoj për disponimin e tyre pozitiv dhe shumë të mirë për PDK’në për kandidatin dhe Kryetarin e ardhshëm, Agim Çekun”.

“PDK’ja ka prezantuar si Kandidaturë me besim të plot për fitore të Kryeqytetit, për ndërtimin e Prishtinës Evropiane, burrështetasin e Kosovës, i respektuar në gjithë botën por edhe vizionarin për ndryshimin e Prishtinës Evropiane”.

“I falënderoj qytetarët për mbështetje të konsoliduar që është garanci fitores së Çekut në Prishtinë”.

Ndërsa Agim Çeku tha se qytetarët po kërkojnë ndryshime.

“Edhe sot, por edhe më parë, në çdo takim me qytetarët, në çdo lagje dhe në çdo fshat që po i vizitojmë, po e shohim që qytetarët po kërkojnë ndryshime, qytetarët po na ofrojnë mbështetje dhe po e shohin se fitorja e PDK`së, fitorja ime për Prishtinën është duke ardhur, është afër dhe do të ndodh”.