Fisnik Abrashi, Drejtor në AP

Drejtor i AP’së për Europën Qendrore dhe Lindore është zgjedhur gazetari nga Kosova Fisnik Abrashi. Ai do të menaxhojë lajmet që vijnë duke filluar nga shtetet e Ballkanit e deri në Poloni.

Lajme

07/02/2014 17:00

Gazetari nga Kosova, Fisnik Abrashi, është emëruar Drejtor në agjencinë njohur të lajmeve Associated Press (AP), për Europën Qendrore dhe Lindore.

Abrashi deri më tani punonte korrespodent për AP në rajonet me luftëra dhe konflikte në shumë vende të botës.

Emërimi i tij në këtë pozitë është bërë të premten nga kreu i sektorit të lajmeve ndërkombëtare të AP’së, Derl McCrudden.

“Ne jemi të lumtur të shohim Abrashin që të vë në funksion vizionin e tij për një mbulueshmëri për regjionet më dinamike të Europës”, thonë drejtuesit e AP’së.

Abrashi do ta udhëheqë këtë departament i cili ka selinë në Pragë të Republikës Çeke.

Ky departament mbulon shtete si Polonia, Rumania, Hungaria, Republika Çeke, Sllovakia, Bullgaria, Serbia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegevina, Sllovenia, Mali i Zi dhe Moldavia.

Gazetari prishtinas ka mbaruar studimet e magjistraturës për Europën Qendrore dhe Lindore në Universitety College London.