Filmi “Klithma”, premierë botërore në “PriFest 10”

Filmi i regjisorit Korab Lecaj, trajton përdhunimin seksual të meshkujve shqiptar nga serbët gjatë luftës në Kosovë. Filmi jepet premierë më 19 korrik 2018 (të enjten) në orën 19:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

ShowBiz

16/07/2018 16:03

Askush në fshat nuk e di se Dini është i dhunuar seksualisht nga serbët gjatë luftës, përveç Ramadanit, një burrë nga një fshat tjetër që ka rastisur të jetë në të njejtin vend gjatë dhunimit bashkë me të.

Pakti mes Danit dhe Dinit ka qenë: “Çfarëdo që ka ndodhur, mbetet mes nesh”. Por, gjërat ndryshojnë, kur Dani vendos ta bëjë publike atë se çfarë u kishte ndodhur në luftës. Kjo është drama mbi të cilën është vendosur rrëfimi i filmit “Klithma”, i cili është i motivuar nga ngjarje të vërteta.

Ky film do të jepet premierë më 19 korrik 2018, në orën 19:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në kuadër të edicionit të dhjetë të PriFest-it.

Për regjisorin Korab Leca, shfaqja e filmit “Klithma” për publikun kosovar ka një domethënie të veçantë.

“Filmi ‘Klithma’, është një klithmë që buron prej brendësisë së shpirtit të shoqërisë kosovare.

“Klithma” shfaq një plagë që vazhdimisht ka kulluar pas lufte, por ne si shqëri jemi munduar ta kamuflojmë.

Mirëpo, plaga nuk sherohet nëse ajo nuk trajtohet dhe fshihet. Prandaj, ne përmes filmit “Klithma” kemi provar ta themi një të vërtetë para botës, se regjimi serb ka bërë krime seksuale edhe ndaj meshkujve shqiptar gjatë luftës ”, ka thënë regjisori Lecaj.

Ndërsa sa i përket trajtimit artistik të kësaj teme, Lecaj përmes elementeve minimaliste ka trajtuar një temë të madhe.

“Kam pas fat që në ekip kam pasur aktor profesionistë, si Hazirin, Arjolen, Arbneshen e Albanin, të cilët janë shtyllë e këtij filmi, sidomos Haziri i cili luan rolin qendror, personazhin e Dinit. Përmes gjëra të vogla, në film trajtojmë një temë të madhe që është ende tabu te ne”, thotë Lecaj. E barrën kryesore në film si aktor, rolin e Dinit, e ka pasur aktori Hazir Haziri. Ai thotë se roli i Dinit është përmbajtësor dhe emocional, i cili në biografinë e tij fsheh një dhunë seksuale të bartur ndër vite mbi supe.

“Kam pasur fatin që të mishërohem që nga ditët e para me këtë rol, duke pasur parasysh se kemi trajtuar me regjisorin së bashku edhe skenarin, prandaj, kam pasur mundësi të hulumtoj dhe ta ndërtoj dalëngadalë, duke e studiuar çdo detaj”, thotë aktori Haziri. Ai është i mendimit se regjisori Korab Lecaj së bashku me ekipin kanë bërë një punë serioze, e cila do të vlerësohet lartë nga audienca. Pjesë shumë e rëndëssishme e projektit “Klithma”, ka qenë edhe drejtori i fotografisë nga Bosnja, Almir Xhikoli. Xhikoli ishte takuar me regjiorin Lecaj në edicionin e 9-të të Prifest, ndërsa në tetor të vitit të kaluar filmi është xhiruar.

Ai thotë se skenari i kishte bërë përshtypje dhe e kishte frymëzuar, prandaj edhe pa asnjë hezitim ka pranuar të jetë pjesë e ekipit.

“Që nga fillimi më ka intriguar historia e këtij rrëfimi. Vërtetë ka qenë një sfidë për mua ky projekt”, ka thënë Xhikoli.

Ai ka përmendur punën profesionale që ka pasur me regjisorin si dhe me dy aktorët në rol kryesor Hazir Hazirin dhe Arjola Demirin.

“Më ka pëlqyer shumë bashkëpunimi me ta”, ka thënë Xhikoli.

Ndërsa sa i përket temës së filmit ai është i mendimi filmi “Klithma”, shpërfaq një mesazh shumë të rëndësishëm, që duke u përballur me të kaluarën, ne ndërtojmë të ardhmen.

“Në film asgjë nuk shfaqet qartë, por realisht gjithçka kuptohet. Këtu është madhështia e filmit”, thotë ai. Ndërsa një punë të jashtëzakonshme për realizimin e këtij filmi e ka bërë edhe producenti Besar Zahiti.

Ai thotë se “Klithma”, ka një fuqi të madhe si rrëfim për faktin se është i inspiruar nga ngjarje e vërtetë.

“Filmi prek një temë të ndjeshme dhe të guximshme në të njejtën kohë. Koncepti regjisorial dhe shkrimi i skenarit janë punuar në një frymë shumë profesionale dhe besoj se kemi realizuar diçka të bukur”, ka thënë producenti Zahiti.

Ai është i mendimit se rruga e “Klithma” nëpër festival të huaja tashmë është e shtruar.

“Filmi ynë do të ketë jetë nëpër festivale ndërkombëtare dhe ne tashmë kemi kontakte me disa prej tyre”, ka thënë Zahiti.

Në filmin Klithma luajnë: Hazir Haziri, Arjola Demiri, Alban Zogaj, Arbnesha Grabovci-Nixha, Rajmonda Ahmetaj, Kaltrinë Zeneli etj.