Filloi pagesa e taksës doganore në Veri

Sot në mëngjes ka filluar pagesa e detyrimeve për mallrat që hyjnë nga Serbia në Kosovë, në dy pikat kufitare në Veri. Të hyrat nga to do të derdhen në Fondin për Veriun.

Lajme

14/12/2013 10:27

Në vendkalimet kufitare me Serbinë në Bërnjak dhe Jarinjë filloi pagesa e taksave doganore për mallrat që hyjnë nga Serbia në Kosovë, në përputhje me atë që qeveritë e Prishtinës dhe Beogradit janë pajtuar gjatë dialogut në Bruksel.

RTK në gjuhën serbe raporton se për shkak të Marrëveshjes për Tregti të Lirë CEFTA, në këto vendkalime nuk paguhet doganë por vetëm TVSH dhe akcizë për mallrat që hyjnë nga Serbia.

Pagesa e këtyre detyrimeve mund të bëhet në pikat kufitare pasi që në afërsi të terminalit është vendosur një pikë bankare e cila operon në serbi dhe Kosovë. Në këtë mënyrë, mallrat të cilat do të dërgohen në Leposaviq nuk kanë më nevojë të shkojnë në terminalin doganor në jug të Mitrovicës.

Në pikën e integruar kufitare në Jarinjë gjenden pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Policisë së Serbisë dhe ata të EULEX’it, dhe së shpejti njëjtë do të jetë edhe në Bërnjak.

Kryetarët e zgjedhur të Komunave Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok u kanë bërë thirrje afaristëve dhe qytetarëve të pjesës veriore që ta respektojnë marrëveshjen dhe ta bëjnë pagesën e detyrimeve në pikat kufitare.

Të hyrat e mbledhura nga taksat në këto dy pika do të shkojnë në Fondin për veriun, i cili është zyrtarizuar dje dhe që është gjithashtu pjesë e marrëveshjes së Brukselit.