Filipinasit po mbushin tregun e punës në Shqipëri, pse po i preferojnë bizneset shqiptare?

Në këtë restorant në Tiranë, gjysma e punonjësve janë të huaj. Vijnë kryesisht nga Filipinet. Ven Ar Palabio, ky 33-vjeçar, ka 4 vite që po punon në Shqipëri. Ai është diplomuar në Bachelor për Inxhinieri Marine, por po punon si shef kuzhine. “Unë jam diplomuar në kolegj me Bachelor për Inxhinieri Marine, kuzhina është pasioni…

Lajme

30/03/2025 19:52

Në këtë restorant në Tiranë, gjysma e punonjësve janë të huaj. Vijnë kryesisht nga Filipinet.

Ven Ar Palabio, ky 33-vjeçar, ka 4 vite që po punon në Shqipëri. Ai është diplomuar në Bachelor për Inxhinieri Marine, por po punon si shef kuzhine.

“Unë jam diplomuar në kolegj me Bachelor për Inxhinieri Marine, kuzhina është pasioni im dhe ndoqa një kurs gatimi. Fillimisht e kam filluar punën si pjatalarës, sanitar, dhe hap pas hapi u integrova në kuzhinë. Fillimisht kur erdha kam punuar në Dhërmi, deri në 2021 dhe prej 3 vitesh po punoj në këtë restorant. Në këtë restorant unë jam shef kuzhine për sushin”.

Ai e vlerëson Shqipërinë për mundësitë e punës dhe për pagën më të mirë, krahasuar me vendin e tij të origjinës.

“Në krahasim me Filipinet, pagesa është më mirë këtu dhe për ne është një oportunitet shumë i mirë puna në Shqipëri. Në fillim jetesa në Shqipëri ka qenë shumë e vështirë, për shkak të komunikimit, mosnjohjes së gjuhës, ushqimi është shumë ndryshe, kultura shumë të ndryshme”.

Po si e gjeti ai vendin e punës në Shqipëri?

“Shumë filipinas aplikojnë për punë në një agjenci punësimi në Filipine, të cilat bashkëpunojnë me agjenci punësimi në Shqipëri. Këto të fundit rekrutojnë punonjës nga Filipinet. Gjithçka procedohet në Filipine dhe më pas letrat dërgohen në Shqipëri. Presim afro 2-3 muaj, derisa të aprovohet viza nga zyra e emigracionit në Shqipëri dhe më pas përmes vizës së punës të  aprovuar bëhemi gati me biletat dhe nisemi për në Shqipëri”.

Punonjësit e huaj po bëhen pjesë e ekonomisë shqiptare, ndonëse punësimi i tyre ka kosto më të lartë për bizneset se punësimi i qytetarëve shqiptarë. Vetëm transporti nga Filipinet këtij bar restoranti i ka kushtuar nga 3 500-5000 euro për çdo punonjës. Pavarësisht kësaj, bizneset po i pranojnë këto shpenzime për të siguruar fuqi punëtore të qëndrueshme.

Në Shqipëri rezultojnë 13 mijë shtetas të huaj të punësuar dhe numri i tyre ka ardhur ne rritje vit pas viti. Të huaj në tregun e punës dominohen nga italianët, turqit, indianët dhe filipinasit. tabele

Punëtorët e huaj po zëvendësojnë krahun e punës që mungon në disa sektorë kyçë të ekonomisë, që po njohin zhvillim të madh vitet e fundit. Hoteleria, shërbimi dhe ndërtimi janë fushat që kanë mungesat më të mëdha dhe që po tërheqin emigrantë.

Shqipëria po përballet me mungesën e fuqisë punëtore kryesisht për shkak të largimit të të rinjve, apo mungesës së interesit për disa profesione. Bizneset e kanë të vështirë të gjejnë staf të kualifikuar, veçanërisht në sektorët e shërbimit dhe ndërtimit dhe janë të detyruar të kërkojnë zgjidhje tek punësimi i të huajve. Kjo tendencë e punësimit të emigrantëve pritet të vazhdojë, teksa vendi po bëhet një treg gjithnjë e më tërheqës për punonjës të vendeve të ndryshme. Të gjithë ata që duan të vijnë të punojnë në Shqipëri do të duhet të kenë një kontratë pune e më pas do të duhet të aplikojnë për leje qëndrimi./Tv Klan