Festivali i Letërsisë në Orllan sivjet homazh për Migjenin dhe Federico Garcia Lorkën

Nesër fillon edicioni i gjashtë i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë në Orllan të Podujevës. Sipas organizatorëve, edhe ky edicion vazhdon traditën duke sjellë përsëri një listë mbresëlënëse të autorëve e artistëve nga Kosova, Shqipëria, Bosnjë Hercegovina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës

ShowBiz

15/09/2016 11:51

Edicioni i gjashtë i Festivalit ndërkombëtar të Letërsisë në Orllan do të tubojë këtë fundjavë poetë, shkrimtarë, muzikantë, artistë dhe adhurues të kulturës te Liqeni i Batllavës.

Nga nesër deri më 18 shtator, autorë e muzikantë vendas e ndërkombëtarë do të ndajnë krijimet e tyre me adhuruesit e kulturës në një mjedis pitoresk por pak të shfrytëzuar për tubime të këtij lloji.

Sipas organizatorëve, edhe ky edicion i FLO-së vazhdon traditën duke sjellë përsëri një listë mbresëlënëse të autorëve e artistëve nga Kosova, Shqipëria, Bosnjë Hercegovina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Të ftuar janë Faruk Sehiq (Bosnje dhe Hercegovinë), Brian Sneeden (SHBA), Ledia Dushi, Bardhyl Londo, Lisandri Kola, Donika Dabishevci, Robert Wilton, Imer Topanica, Gëzim Aliu, Genc Salihu, Gypsee Yo, Shpëtim Selmani, Shpat Deda, Gipsy Groove, Oborri, shkruan kultplus.

Përveç paraqitjes së autorëve me veprat e tyre, këtë vit FLO do t’i bëj homazh poetit të famshëm Federico Garcia Lorka në 80 vjetorin e vrasjes së tij edhe Millosh Gjergj Nikolla Migjenit në 80 vjetorin e botimit të përmbledhjes së tij “Vargjet e lira” me kolazhe të poezive të tyre në shqip dhe anglisht.

Do të ketë takime me autorë me pyetje e përgjigje nga audienca si dhe një debat rreth përkthimeve letrare.Të gjitha aktivitetet mbahen në restorantin “Liqeni” në Orllan. Për të gjithë ata që janë të interesuar të jenë në audiencë, do të ketë autobus të organizuar (gratis) që niset nga libraria Dit’ e Nat’ (Rr Fazli Grajçevci, 5, Prishtinë), çdo ditë në ora 17:30, dhe autobusë të linjes së rregulltë Prishtinë-Orllan, para shkollës fillore Emin Duraku, te Xhamia e Llapit”, thuhet në njoftim.