Fermerët ankohen për vonesën në subvencione, Ministria e Bujqësisë jep detaje

Fermerët kanë korrur e vjelur disa prej prodhimeve bujqësore për këtë vit, por ende nuk i kanë marrë subvencionet, pagesat direkte financiare nga Ministria e Bujqësisë. Ndonëse, me vonesë krahasuar me vitin e kaluar, disa fermerë kanë nisur t’i pranojnë këto ditë vendimet nga Ministria e Bujqësisë për këtë mbështetje financiare. Për vonesa të subvencioneve…

Lajme

03/08/2025 15:38

Fermerët kanë korrur e vjelur disa prej prodhimeve bujqësore për këtë vit, por ende nuk i kanë marrë subvencionet, pagesat direkte financiare nga Ministria e Bujqësisë.

Ndonëse, me vonesë krahasuar me vitin e kaluar, disa fermerë kanë nisur t’i pranojnë këto ditë vendimet nga Ministria e Bujqësisë për këtë mbështetje financiare.

Për vonesa të subvencioneve po ankohen disa fermerë, të cilët thonë se për shkak të saj po u vështirësohet puna në bujqësi.

Ata kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë të fillojnë sa më shpejtë procedurat për ekzekutimin e pagesave.

Fermeri nga fshati Suhadoll i Lipjanit, Valon Vehapi, vlerëson se një nga vështirësitë kryesore për bujqit është vonesa në shpërndarjen e subvencioneve. Ai thekson se këto mjete duhet të lëshohen në kohë, siç thotë ai më së largu në mes të shtatorit, në mënyrë që fermerët të kenë mundësi të përgatiten për mbjelljet e vjeshtës.

Sipas Vehapit i cili këtë vit kishte mbjellur rreth 120 hektarë me grurë, vonesat sjellin vështirësi financiare, pasi shumë fermerë nuk kanë pasur fitime të mjaftueshme këtë vit për të mbuluar shpenzimet e punës në tokë.

Ai paralajmëron se nëse subvencionet nuk dalin në kohë, një pjesë e madhe e tokave mund të mbeten të papunuara.

“Përkrahja e ministrisë nuk është e keqe, nuk mund të ankohemi. Por, çka e kemi një problem është se po vonohen mjetet. Sikur të na lëshoheshin mjetet e subvencioneve së paku deri më 15 shtator, do të ishte mirë edhe për vetë shtetin për arsye se bujqit do të kishin pasur të holla të mjaftueshme edhe për ta mbjellur tokën në vjeshtë. Mos të vonohen më shumë se në shtator. Mandej po kemi vështirësi në të holla. Vitin e kaluar i kemi marrë në korrik…Sa më herët që të lëshohen mjetet aq më mirë për bujqit… Fermeri dëmtohet nëse nuk lëshohen mjetet para kohës së mbjelljes tani që i kemi në vjeshtë. Fermerët nuk kanë pasur fitim këtë vit shumë të madh. Nëse nuk lëshohen mjetet nuk i punojnë tokat. Nëse lëshohen mjetet atëherë çdo njëri do të shkojë të blejë farën, naftën dhe do ta bëjë punimin e tokës”, thotë Vehapi.

Edhe fermeri Bunjamin Jashanica shpreh nevojën që subvencionet të shpërndahen më herët, duke theksuar se vonesat e vitit të kaluar kanë krijuar vështirësi në përgatitjet për sezonin e punës bujqësore.

Ai tregon se subvencionet përfundimtare i ka pranuar në dhjetor, një periudhë kur mbjelljet tashmë kishin përfunduar. Sipas tij, fermerët kanë nevojë për mbështetje financiare që në shtator, pasi atëherë fillojnë përgatitjet në arë, si lërimi i tokës, ndërsa në tetor nis mbjellja.

Jashanica i cili këtë verë vit korri rreth 25 hektarë me grurë, tregon se mjetet përdoren kryesisht për blerjen e naftës, plehrave dhe farës, të cilat kërkojnë pagesë të menjëhershme.

Jashanica: Subvencionet duhet të dalin maksimalisht fillim ose mes shtatorit, na duhen mjetet për mbjellje

Video

“Mbi 10 vite merrem me bujqësi, vështirësitë e veta i ka edhe bujqësia, por ia dalim disi. Subvencionet janë ato të cilat na motivojnë për të punuar. A dalin në kohë mjetet? Jo, deri më tash kemi pasur shumë vonesa.Mjetet deri në fund të vitit ka pasur vonesa. Kur i keni marrë subvencionet vitin e kaluar? Përfundimtarët, nëse nuk gaboj në muajin dhjetor. Ndikon sepse ne eventualisht gjatë muajt shtator përgatitemi me lavër, në tetor veçse fillon mbjellja, neve na duhen mjetet pikë së pari për naftë, për plehra, për fara, të gjitha duhet t’i paguajmë më pare cash (kesh). Sipas meje subvencionet duhet të dalin maksimalisht fillim ose mes shtatorit”, tregon Jashanica.

Ndërkaq, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, Ministria e Bujqësisë, përkatësisht Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), bën të ditur se vonesat në procesin e këtij viti janë rezultat i nisjes së thirrjes për aplikim më vonë se zakonisht.

Siç thonë ata procesi i shtypjes së Vendimeve për Pagesat Direkte për programin e vitit 2025 ka filluar më 20 korrik 2025 dhe vazhdon ende.

AZHB-ja njofton se janë shtypur mbi 10 mijë vendime nga afro 34 mijë aplikues, derisa vlera totale arrin rreth 17 milionë euro.

“Ju njoftojmë se procesi i shtypjes së Vendimeve për Pagesat Direkte për programin e vitit 2025 ka filluar më 20.07.2025 dhe është duke vazhduar. Deri më tani për gjithsej 33,781 aplikues, janë shtypur 10,240 vendime në një vlerë të përgjithshme prej afërsisht 17 milionë Euro. Pritet që këto pagesa të ekzekutohen së shpejti, ndërkohë që aplikimet e mbetura janë në fazën e kontrollit administrativ ose të kontrollit në terren. Arsyeja pse këtë vit jemi me vonesë përafërsisht 20 ditë kalendarike, qëndron se këtë vit thirrja për aplikim ka filluar gati me një muaj vonesë krahasuar me vitin e kaluar”, thonë nga AZHB-ja.

Vitin 2024, subvencionet për grurë kishin filluar të ekzekutohen që nga fundi i muajit qershor./kp