Ferizajasit ankohen për mungesën e orareve të autobusëve urbanë

Në Ferizaj ka nisur funksionimi i qarkullimit të autobusëve urbanë, pas zhvendosjes së stacionit të autobusëve nga lokacioni i mëparshëm në një zonë periferike të qytetit. Mirëpo, qytetarët e Ferizajt kanë ankesat e tyre, pasi ende nuk dihet saktë koha e nisjes nga pikat e caktuara për në destinacionet përkatëse dhe nuk ka bashkërendim të…

Lajme

23/06/2025 21:35

Në Ferizaj ka nisur funksionimi i qarkullimit të autobusëve urbanë, pas zhvendosjes së stacionit të autobusëve nga lokacioni i mëparshëm në një zonë periferike të qytetit.

Mirëpo, qytetarët e Ferizajt kanë ankesat e tyre, pasi ende nuk dihet saktë koha e nisjes nga pikat e caktuara për në destinacionet përkatëse dhe nuk ka bashkërendim të orareve.

Ata kërkojnë që të ketë më shumë linja edhe në pjesët e tjera të qytetit, pasi aktualisht është e përfshirë vetëm një pjesë e tij.

“Ne e kemi pasur autobusin tonë nga Papazi për Ferizaj, e cila ka qenë vija që kalonte gjatë rrugës ‘Vëllezërit Gërvalla’ dhe i përmblidhte të gjithë udhëtarët. E tash, me këtë urbanin, duhet në mënyrë të veçantë të shkohet në stacionin e autobusëve. A ka autobus të rregullt? Jo, nuk ka të rregullt. Askush nuk e di orarin e tyre”, ka thënë qytetari Mustafë Osmani.

“Shqetësimi ynë për fillim është problem, për ne nga rajoni i Shtimes, sepse ne vijmë deri këtu, te rrethi, dhe nuk janë të koordinuar me orë. Ne vijmë këtu, deri tek rrethi, dhe presim 10 deri në 15 minuta, sepse nuk janë të koordinuar mirë. Përndryshe, ide shumë e mirë”, ka thënë qytetari Salih Haliti.

Zyrtarët komunalë thanë se kjo fazë e funksionimit të autobusëve urbanë është në fazën fillestare dhe se do të rishikohet mundësia e intervenimit për shtimin e orareve dhe të linjave të reja të qarkullimit.

“Ne jemi të vetëdijshëm se ka problematika në terren, sidomos sa i përket pjesës së orareve të linjës së autobusëve. Ju e keni parë edhe në prononcimet e tjera të kryetarit që ka thënë se secila kërkesë e qytetarëve, sidomos sa i përket pjesës urbane të autobusëve, do të merret parasysh dhe do të rishikohet edhe një herë puna e orarit. Më pas do të shihet nëse është i mjaftueshëm numri i autobusëve për të plotësuar kërkesat e tyre. Nëse ka nevojë për shtim të autobusëve, ata do të shtohen”, ka thënë Selim Marevci, zëdhënës i Komunës së Ferizajt.

Qytetarët po ashtu kërkojnë që në çdo vend-dalje të autobusëve urbanë të vendosen tabela informuese mbi orarin e qarkullimit të tyre. /rtk