Ferizaj, shkarkohen nga një drejtorat, emërohen në tjetrin

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa ka publikuar të martën ndryshimet në kabinetin e tij. Ndonëse paralajmërimet për ndryshime i bëri gjatë javës së shkuar.

Lajme

10/03/2015 16:31

Sfarqa këtë vonesë vendimi e arsyetoi me faktin se ndryshimet po bëhen me qëllim të rritjes së efikasitetit të punës, përmirësimit të performancës së pushtetit lokal, shtimit të angazhimeve e përkushtimit në realizimin e politikave zhvillimore, si dhe me qëllim të përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve.

“Unë kam marr një vendim për rikonfigurimin e disa drejtorëve në pozita të tjera në krahasim me ato që i kanë ushtruar gjatë këtij mandati”, ka thënë ai.

Mësohet se në bazë të këtij rikonfigurimi, drejtori i deritashëm i Drejtorisë së Administratës, Naim Ferati caktohet në detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Drejtori i deritashëm i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Enver Haliti caktohet drejtor i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik. Drejtoresha e deritashme e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, Mimoza Fazliu caktohet drejtoreshë e Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencave. Drejtori i deritashëm i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, Fatmir Azizi caktohet drejtor i Drejtorisë së Gjeodezisë, Pronës dhe Kadastrës, kurse drejtori i deritashëm i Drejtorisë së Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrës, Faruk Hyseni caktohet drejtor i Administratës.

Këto ndryshime fillojnë që nga dita e nesërme, tha ai. (Kosovapress)