Ferizaj me pak zjarrfikës, por me zjarrfikëse të re

Në kuadër të një projekti të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Ferizaj ka përfituar një autocisternë për shuarjen e zjarrit, e cila do të ndikojë dukshëm në rritjen e funksionalitetit të Brigadës së Zjarrfikësve.

Lajme

20/04/2015 23:22

Pavarësisht këtij donacioni, Komuna e është e vendosur që ta funksionalizojë edhe qendrën e dytë të zjarrfikësve, objekti i së cilës tashmë është gati, por që duhet të plotësohet me personal dhe mekanizëm.

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa e ka vlerësuar këtë donacion duke thënë se kështu gradualisht po përmbushën nevojat insfrastrukturore në dobi të funksionalizimit të mëtejmë të Brigadës së Zjarrfikësve.

“Për fat të keq, ne akoma nuk e kemi funksionalizuar qendrën numër 2 të zjarrfikësve, është një detyrë që na pret dhe sigurisht që do të angazhohemi gjatë ditëve në vijim. Me buxhet komunal kemi paraparë 50 mijë euro për funksionalizmin e mëtejmë të kësaj qendre”, tha ai pos tjerash.

Për më tepër, kjo është autocisterna e parë me kilometrazh zero që i është dhënë kësaj brigade, ndërsa kryetari Sfarqa vuri në dukje se donacione të tilla në të ardhmen do të ketë edhe nga jashtë, duke përmendur këtu bashkëpunimin që ka nisur me disa kantone të Zvicrës, prej nga ka marrë premtime.

“Mendoj që përfitimi i këtij donacioni në shumë prej 137 mijë euro është një përfitim i mirë, që sigurisht do t’i shtohen edhe kërkesat të cilat po i bëjmë në vazhdimësi edhe në kontakte me donatorët e jashtëm, siç është rasti me qytetin e Lozanës, ku kryetari i këtij qyteti na ka premtuar një donacion prej dy autocisternash, si dhe donacione tjera në mekanizëm për kompaninë e pastrimit”, tha Sfarqa.

Komandanti i brigadës zjarrfikëse, Halil Osmani tha se ky donacion është i pari prej pas luftës që ka ardhur direkt prej prodhuesit dhe është i përshtatur mjaft mirë për kushtet e rrugëve dhe vendbanimeve tona.

“Me këtë automjet kemi qasje në çdo vend, sepse është i përshtatshëm për intervenime të zjarrfikësve”, tha ai.

Mirëpo, për Ferizajn sfidë mbetet numri i vogël i zjarrfikësve, duke pasur parasysh që në dy vjetët e fundit ka përfunduar edhe qendra e dytë e zjarrfikësve e cila është moderne. /Kosovapress/