Fëmija nga Lipjani me plagë të rënda dhe shenja kequshqyerjeje dërgohet në QKUK, arrestohen prindërit
Një fëmijë pesëvjeçar nga Lipjani është duke u trajtuar në Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), pasi është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore me plagë serioze në të dy shputat e këmbëve. Rasti është konfirmuar për lajmi.net nga zëdhënësja për media në QKUK, Mirlinda Qyqalla, e cila bëri të ditur se fëmija fillimisht është…
Lajme
Një fëmijë pesëvjeçar nga Lipjani është duke u trajtuar në Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), pasi është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore me plagë serioze në të dy shputat e këmbëve.
Rasti është konfirmuar për lajmi.net nga zëdhënësja për media në QKUK, Mirlinda Qyqalla, e cila bëri të ditur se fëmija fillimisht është referuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Lipjan drejt Emergjencës Qendrore të QKUK-së.
“Bazuar në të dhënat nga Klinika e Pediatrisë në QKUK, ju informojmë se një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani është sjellë në Emergjencën Qendrore, i referuar nga QKMF Lipjan, për shkak të plagëve të rënda në të dy shputat e këmbëve, të shoqëruara me ndryshime të theksuara gangrenoze. Në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, me shenja të hipotrofisë (me dyshim për kequshqyerje) dhe me vështirësi në komunikim”, ka deklaruar Qyqalla.
Sipas saj, menjëherë pas pranimit në Emergjencë janë bërë konsultime urgjente me specialistë të fushave përkatëse. Mjekët kanë vendosur që fëmija të shtrohet për trajtim në Klinikën e Pediatrisë, konkretisht në njësinë e Kujdesit Intensiv Pediatrik.
“Duke pasur parasysh dyshimet për keqtrajtim të mundshëm të fëmijës, janë njoftuar organet kompetente, përfshirë Policinë dhe shërbimet sociale, në përputhje me procedurat dhe detyrimet ligjore për mbrojtjen e fëmijëve. Pas pranimit në Kujdesin Intensiv Pediatrik, fëmija i është nënshtruar ekzaminimeve të plota laboratorike dhe imazherike. Trajtimi intensiv i plagëve është duke vazhduar, ndërkohë që janë realizuar edhe konsultat multidisiplinare me kirurgun vaskular, kirurgun plastik dhe ortopedin”, ka shtuar ajo.
Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike të të miturit, në trajtim janë përfshirë edhe specialistë të shëndetit mendor dhe të shërbimeve sociale.
“Aktualisht, fëmija ndodhet pa përcjellje nga prindërit apo kujdestari ligjor dhe është nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të stafit mjekësor dhe punëtorëve socialë, në përputhje me procedurat për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve në situata të tilla”, theksoi Qyqalla.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti është duke u hetuar dhe se prindërit e fëmijës janë arrestuar në Lipjan nën dyshimin për mos përmbushje të detyrimeve familjare.
Sipas raportit policor, i mituri është dërguar për trajtim në QKUK për shkak të gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore, e cila dyshohet të ketë ardhur si pasojë e moskujdesit dhe mos trajtimit nga ana e prindërve./lajmi.net/