Familjet pa konfirmim për të vdekurit
Heshtja ka pllakosur fshatin Prekollug të Deçanit. Askush nuk pranon të flasë për të birin e fshatit, që tashmë autoritetet maqedonase kanë konfirmuar se është vrarë gjatë luftimeve në Kumanovë.

Lajme
Shtëpia e Beg Rizajt është e mbyllur në fshat. Vëllezërit e tij janë kthyer nga Anglia dhe Gjermania, mirëpo askush nuk ka qenë në fshatin e lindjes, ku vëllezërit Rizaj kanë një shtëpinë.
Një grua ndez një zjarr afër shtëpisë, ku djeg mbeturina. Ajo thotë se njeh familjen Rizaj, që i kanë fqinj të parë. “I kemi pos me i pasë vllazën”, thotë ajo, tek konfirmon se në atë shtëpi ka një kohë të gjatë që nuk ka qenë askush i familjes, shkruan “Zëri”.
E pyetur nëse di ndonjë gjë për fatin e Begut, ajo rrudh krahët. “Nuk dimë gjë…”, thotë në heshtje tek ul kokën, gjersa tymi i shkon syve.
Jo larg shtëpisë së Beg Rizajt, në Prekollug jeton familja Hadërgjonaj. Një burrë i lagjes thotë se janë kushëri me Rizajt. Por as ai nuk ka informacione për fatin e kushëririt të tij.
Ne po lexojmë disa lajme që Begu është vrarë. Por ka shumë spekulime dhe nuk po besojmë”, thotë burri rreth të shtatëdhjetave.
Ditë më parë, në Kumanovë, gjatë përleshjes me policinë maqedonase, thuhet të jenë vrarë 22 persona, 14 pjesëtarë nga grupi i armatosur dhe tetë policë. Në mesin e të vrarëve, të këtij grupi të armatosur, ka pasur edhe shtetas të Republikës së Kosovës. /Zëri/