Familjarët të indinjuar me zhvarrosjet e EULEX-it në Çabrat
Në Gjakovë ka shumë pakënaqësi ndaj zhvarrosjes të atyre që humbën jetën në luftë.

Lajme
Familjarët e tyre po thonë se nuk u njoftuan për këtë gjë, raporton Klan Kosova.
Zhvarrosja e eshtrave të burrit ia ktheu edhe një herë dhembjen Bukuries nga Gjakova. E indinjuar me atë që ndodhi të mërkurën në varrezat e Çabratit, ajo thotë se kjo u bë pa dijeninë e saj.
“Pa pajtim tonin, pa njoftim, pa asgjë e kanë marrë e kanë çelë. Sikur kur të vjedh diçka. Kanë ardhë dje në mëngjes dhe i kanë marrë eshtrat nga këtu”, tha Bukurie Berisha për Klan Kosova.
Ajo konsideron se me këtë u shkelën të drejtat e njeriut.
Plaga iu rifreskua edhe familjarëve të tjerë, të cilët po akuzojnë kryetaren e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, Nysrete Kumnova, se ishte në dijeni për zhvarrosjen e eshtrave të familjarëve të tyre nga EULEX-i.
E Kumnova shprehet e habitur me këto akuza.
“Kjo s’është e vërtetë”, tha Kumnova për Klan Kosova.