Familjarët e të zhdukurve vizitë në Rashkë, kërkojnë drejtësi ndërkombëtare

Familjarë të personave të zhdukur sot kanë vizituar varrezën masive në Rashkë të Serbisë. Ata me këtë rast kanë kërkuar drejtësi ndërkombëtare për të gjetur dhe ndëshkuar kryesit e këtyre krimeve. 

Lajme

23/05/2014 21:57

Familjarë të personave të zhdukur dhe aktivistë të shoqatave familjare, të shoqëruar edhe nga përfaqësues të Komisionit Qeveritar të Republikës së Kosovës për Persona të Zhdukur dhe Departamenti i Mjekësisë Ligjore, vizituan lokacionin e varrezës masive në Rudnicë, të Rashkës. 

Me këtë rast, përfaqësuesit e familjarëve, kryesisht nga fshati Rrezallë, që ishin të pranishëm sot në lokacion, u njoftuan mbi zhvillimet e punimeve në kuadër të gërmimeve vlerësuese dhe procesit të zhvarrimit të mbetjeve mortore, tashmë të gjetura në varrezën masive në Rudnicë. 

Sipas të dhënave të fundit, të prezantuara sot para familjarëve, nga numri i mbetjeve mortore të gjetura deri më tani, rezultojnë të jenë gjetur rreth 25 individë, njofton kumtesa nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur 

Përfaqësuesi i Shoqatave Familjare në Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, Bajram Qerkinaj, gjatë kësaj vizite, në emër të familjeve, shprehu shqetësimin e tyre për dinamikën e punës, e cila sipas tij, nuk është në përputhje me planifikimet e prezantuara para familjarëve. 

‘Shqetësim mbetet edhe mos-identifikimi, përkatësisht mos-dërgimi i mostrave të reja për identifikim përmes analizës së ADN-së’. 

Po ashtu edhe përfaqësuesit e familjeve Hoti dhe Rukolli, shprehën shqetësimin rreth mungesës së informacionit nëse janë ndërmarrë edhe hapat tjerë të nevojshëm profesional deri në mbylljen e plotë të dy rasteve të tyre, tashmë të identifikuara, e për të cilat familjarët janë njoftuar më 13 prill të këtij viti. 

Mirëpo, sipas, Afrim Hotit, ‘që nga ajo datë familjet nuk kanë asnjë informacion se çfarë në të vërtetë po ndodhë me më të dashurit e tyre të identifikuar dhe dhjetëra bashkëfshatar të tjerë që vazhdojnë të jenë të zhdukur’. 

‘Masakra e datës 5 prill në Rrezallë dhe bartja e kufomave nga ish-ushtria jugosllave për të fshehur gjurmët e krimit dhe gjetja tash kjo varrezë masive, që ne sot e vizituam në Rashkë, tregon më së miri se kush ka kryer krime në Kosovë’, theksoi Hoti. 

Iniciuesi i ‘rastit të Rrezallës’, Hamdi Aliu, pasi prezantojë fotografitë e të gjitha viktimave nga fshati Rrezallë dhe kujtoi para ta pranishmëve masakrën dhe krimet monstruoze të kryera para 15 viteve në fshatin Rrezallë dhe fshatrat tjerë përreth, gjendjen aktuale të varrezës masive e cilësojë ‘si krim të pesëfishtë’.