Familja dhjetë anëtarëshe nga Klina ka ikur në Siri, burrat luftojnë përkrahë ISIS-it
Dhjetë anëtarë të familjes Hasani nga fshati Granacië të komunës së Klinës, së bashku me gratë dhe fëmijët e tyre të mitur i janë bashkuar luftës në Siri. Ata kanë lënë pas nënën dhe vëllanë e vogël, të cilët jetojnë në kushte të rënda ekonomike. “E di që janë mirë, po dëgjohemi me telefon, por rrallë sepse lidhja është e dobët. Vetëm po na lajmërojnë se janë mirë. Kanë shku me luftu në emër të Allahut.”, thotë e ëma.
Lajme
Tre vëllezërit, Arben Hasani (38), Adnan Hasani (34) dhe Ekrem Hasani (29) me anëtarët e tjerë të familjes janë nisur drejt Sirisë para katër muajsh, shkruan Zëri.
Dy prej vëllëzërve kanë marrë me vete gratë dhe fëmijë, që më i madhi nga fëmijët është vetëm 8 vjeçar. Ndërsa, vëllai i tretë në pamundësi për t’i rregulluar dokumentet gruas dhe fëmijëve është detyrar që të niset pa familje.
Ata kanë lënë pas nënën dhe vëllanë e vogël, të cilët jetojnë në kushte të rënda ekonomike.
Nëna e djemve tregon për gazetën se si djemtë dhe nuset janë nisur drejt “Tokës së Shamit”. Madje, djali më i madh i saj Arbeni, tashmë ka ndërruar emër. Ai tash thirret Ebu Hasan.
“Po Arbeni, Adanani dhe Ekremi janë djemtë e mi, ata janë në Siri, dy prej tyre kanë marrë me vete edhe gratë me fëmijë, por njëri nuk ka mundur, pasi që nuk u ka rregulluar dokumentet”.
“E di që janë mirë, po dëgjohemi me telefon, por rrallë sepse lidhja është e dobët. Vetëm po na lajmërojnë se janë mirë”, thotë e ëma.
Njëri prej vëllëzërve ka marrë me vete tre fëmijë, e tjetri dy, pra drejt Sirisë ata janë nisur me pesë fëmijë, tregon plaka e shtëpisë, e cila thotë se fëmijët e saj, bashkë me familjet e tyre janë nisur “në rrugën e Allahut”, ndonëse pranon se është mërzitur për ta.
“Kanë shku me luftu në emër të Allahut. Po mërzitem boll, pasi që janë 10 anëtarë të familjes që më kanë shku, por jam pajtu sepse kanë marrë rrugën e Allahut”, thotë ajo për gazetën Zëri.