“Faleminderit për angazhimin” – Postimi që ngjall dyshime, a ndikoi Valon Prebreza që Gramos Hashani të vendoset në krye të KEK-ut?
Mbrëmë në emisionin Debat Plus, gazetari Lirim Mehmetaj hodhi akuza serioze në drejtim të kandidatit për kryetar të Fushë Kosovës, Valon Prebreza, i cili aktualisht shërben si drejtor i ndërmarrjeve publike. Sipas Mehmetajt, Prebreza ka ushtruar ndikim politik në procesin e punësimeve si dhe në zgjatjen e mandateve të ushtruesve të detyrës në kompani publike,…

Lajme
Mbrëmë në emisionin Debat Plus, gazetari Lirim Mehmetaj hodhi akuza serioze në drejtim të kandidatit për kryetar të Fushë Kosovës, Valon Prebreza, i cili aktualisht shërben si drejtor i ndërmarrjeve publike.
Sipas Mehmetajt, Prebreza ka ushtruar ndikim politik në procesin e punësimeve si dhe në zgjatjen e mandateve të ushtruesve të detyrës në kompani publike, transmeton lajmi.net.
Një nga provat e paraqitura ishte një email i dërguar nga Prebreza në adresë të kryesuesit të bordit të KRU-së, ku ai kërkonte që t’i zgjatej mandati Arsim Fetahut si ushtrues detyre i kryeshefit. Ky veprim ngre pyetje serioze rreth ligjshmërisë së ndërhyrjeve të tilla, pasi ligji për ndërmarrjet publike i përcakton bordet si organe të pavarura, pa ndikim nga drejtues politikë.
Polemikat thellohen më tej edhe nga një foto e publikuar nga vetë Prebreza në rrjetet sociale një ditë pas zgjedhjeve, ku ai shihet në shoqëri të ngushtë me Gramos Hashanin – atëkohë zyrtar financiar në KEK, i cili më vonë u emërua ushtrues detyre i kryeshefit të kësaj ndërmarrjeje.
Në foto shfaqet edhe Alban Krasniqi, që aktualisht ushtron dy pozita të rëndësishme: sekretar i KEK-ut dhe anëtar i bordit të Trepçës.
Emërimi i Hashanit u bë nga bordi i KEK-ut, i udhëhequr nga Valdrin Krasniqi, duke ngritur dyshime të mëdha për mungesë transparence dhe përzgjedhje të bazuar jo në meritë, por në lidhje partiake dhe personale.
Sipas ligjit në fuqi, përzgjedhja e kryeshefit ekzekutiv është kompetencë ekskluzive e bordeve të ndërmarrjeve, të cilat duhet të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe profesionale. Ligji nuk parasheh që drejtori i ndërmarrjeve publike apo ndonjë figurë politike të ketë të drejtë të ndërhyjë apo të sugjerojë kandidatë.
Nëse akuzat rezultojnë të sakta, atëherë do të përbënin një shkelje serioze të parimeve të qeverisjes së mirë, duke konfirmuar shqetësimet për kapje politike të ndërmarrjeve publike. Organizatat e shoqërisë civile dhe raportimet mediatike prej kohësh kanë ngritur alarmin se ndërmarrjet publike shpesh shndërrohen në hapësira ndikimi partiak, ku punësimet dhe emërimet bëhen mbi baza politike, e jo profesionale.
Emërime, krizë dhe qindra milionë euro blerje për energji – KEK nën drejtimin e Gramos Hashanit
Përkundër lidhjeve dhe mbështetjes që kishte, Hashani nuk arriti të përmirësonte performancën e KEK-ut. Përkundrazi, vetëm brenda disa muajve të fundit, Kosova u detyrua të blejë më shumë se 100 milionë euro energji elektrike, si pasojë e dështimeve të njëpasnjëshme të blloqeve prodhuese. Nuk kishte ndonjë mot të ftohtë, nuk kishte ndonjë krizë natyrore, thjesht mungesë organizimi dhe keqmenaxhim. Mediat raportonin në Prill për KEK-un në kolaps që punonte me vetëm një bllok aktiv (A4) të termocentralit Kosova A, por askush nuk mori përgjegjësi.
Emërime politike me shpejtësi, pa pritur rezultatin e konkursit për Kryeshef
Pa pritur përfundimin e konkursit për Kryeshef të ri (ku u përfol se është zgjedhur Ylber Batalli), Hashani ndërmori një valë masive emërimesh dhe shkarkimesh në nivelet drejtuese të KEK-ut:
• Avdi Muzliukaj në vend të Mirvete Gergurit si drejtor i Prokurës
• Ramadan Ahmeti në vend të Jakup Pllanës si ud drejtor në TCB
• Skender Isufi në vend të Remzi Beshirit si ud drejtor në TCA
• Erdoan Zasella ushtrues detyre drejtor në Divizionin e Burimeve të Ripërtëritshme, edhe pse pa përvojë menaxheriale të mjaftueshme
• Yll Shala në vend të Agron Binakajt si menaxher në TCB.
• Fatmir Gerguri në vend të Isa Xhemajlit si ud drejtor i Inxhinieringut
• Arben Avdiu kthehet në pozitë menaxheriale në TCB, pasi ishte larguar një vit më parë
• Esat Gerguri në vend të Behxhet Magjunit si drejtor teknik në TCA
• Daut Krasniqi në vend të Zymer Morinës si drejtor i mirëmbajtjes.
“Bellaqefci Holding”: Fshati që po menaxhon KEK-un?
Një fakt edhe më shqetësues: dhjetëra menaxherë të KEK të emëruar vetëm brenda një viti janë nga fshati Bellaqefc apo Bardh i Madh.
Ky rastesis të jetë fshati i Valon Prebrezës, Drejtorit të ndërmarrjeve publike, i cili njëkohësisht është aktivist i Vetëvendosjes dhe i afërt me ministren Rizvanolli. Rastësi? Apo rrjet klientelist?/lajmi.net/