Fakulteti i Filozofisë shënon ngritje të cilësisë

Programet e Fakultetit Filozofik të cilat janë riakrediturar nga Agjencia e Akreditimit, për herë të parë në Universitetin e Prishtinës kanë marrë akreditimin maksimal deri në vitin 2021.

Lajme

14/09/2015 11:18

Drejtues të këtij Fakulteti, thonë se kjo tregon se ka ngritje të cilësisë. Ndërkohë, për programet e akredituara të doktoratës, Dugolli tha se rektorati ka bllokuar hapjen e konkursit për këtë nivel studimesh.

Dekani i Fakultetit të Filozofisë, Bujar Dugolli, tha për Radio Kosovën, se ky Fakultet ka bërë një përvojë të mirë sa i përket hartimit të kurrikulave dhe programeve.  Ai tha se sivjet janë riakredituar pesë programe, duke sjellë risi sa u përket lëndëve dhe duke marrë akreditimin maksimal deri në vitin 2021.

“Për herë të parë në UP arrihet një akreditim kaq i gjatë dhe kjo tregon se është përmirësuar procesi i akreditimit dhe planprogramet tona kanë besueshmëri edhe ndërkombëtare sa i përket kurrikulës. Ne sivjet kemi pasur në riakreditim programin Sociologji (bachelor), Filozofi (bachelor), Histori (bachelor), Histori (master), Histori (doktoraturë).”

Ndërsa, lidhur me programeve të akredituara për studimet e doktoratës Sociologji dhe Histori, dekani Dugolli, bëri të ditur se rektorati ka bllokuar hapjen e konkursit për këto programe të doktoratës.

“Ne e kemi ngritur këtë çështje deh është e padrejtë që për programet e akredituara të mos hapet konkursi. Ne kemi shumë të interesuar brenda Kosovës dhe nga studentë të huaj që kanë shprehur interesimin për studime të doktoratës. Nuk e dimë arsyen, sepse nuk e kanë deklaruar publikisht, por ne kemi insistuar që të paktën sivjet të hapen studimet e doktoratës në Sociologji dhe Histori.”

Për vitin e ri akademik 2015/2016, në konkursin plotësues në Fakultetin e Filozofisë kanë mbetur 79 vende të lira, për nivelin bachelor, prej të cilëve 44 të rregullt dhe 35 me korrespondencë.