Faktet e ujit
Isa Mustafa ka ofruar fakte se Prishtina në vitin 2016 do të ketë ujë 24 orë. Ai ka paraqitur projektet e përfunduara por edhe ato që janë në kuadër të këtij projekti 62 milionësh. Për problemin më të madh që ka Kryeqyteti, ai ka shkruar në Facebook.

Lajme
Kandidati për Kryetar të Prishtinës nga LDK, njëherësh Kryetari aktual, Isa Mustafa, ka thënë se Prishtina do të ketë furnizim të pandërprerë me ujë.
Ai ka paraqitur projektin 62 milionësh i cili është i financuar nga Komisioni Europian, Qeveria e Kosovës dhe nga Komuna e Prishtinës.
Projekti të cilin e udhëheq Komisioni Europian dhe në të cilin komuna ka marrë pjesë me 5 milionë euro, parasheh që deri në vitin 2016 të rregullohet e gjithë infrastruktura, dhe përfundimisht kryeqyteti të ketë ujë 24 orë.
Premtimi për furnizim me ujë ka zënë vend të rëndësishëm në fushatën e kandidatëve për Kryetar të Komunës së Prishtinës pas kritikave të kandidatëve opozitarë ndaj Isa Mustafës për mospunë në këtë çështje.
Mustafa ka shkruar në Facebook se ky projekt është i ndarë në tre faza.
“Faza e parë është e përfunduar që përfshinë intervalin kohor prej 2009-2013, ku si projekte kyçe janë ndërtimi i gypave në Kodra 1 dhe 2, poashtu ndërrimi i rrjetit të ujit në lagjen Tophane si dhe projekti më i madh që është rehabilitimi i fabrikës së ujit në Badovc (ndërtimi i rezervaurit 3,000 metër kub)”.
“Projektet e fazës së dytë 2011-2014 përfshinë mbrojtjen e burimeve të ujit në liqenin e Batllavës dhe Badovcit, ndërrimi i rrjeteve të ujit në lagjen Dodona, Bregu i Diellit dhe Lagjen e Muhaxherëve, si dhe ndërrimi i gypave në Mat dhe Taukbashqe”.
“Projekti i fazës së tretë 2012-2016 është ndërtimi i fabrikës së ujit në Shkabaj me kapacitet prej 700 litra ujë për sekond”.
Mustafa gjithashtu ka folur për projekte të tjera që janë kryesisht ndërrimi i gypave të ujit në disa lagje të Prishtinës si dhe ndërtimin e rezervuarve në lagjet Veternik, Mat 3, Shkabaj.
Isa Mustafa thotë se përfituesit e vetëm të këtij projekti janë qytetarët të cilët do të kenë ujë 24 orë.
“Qytetarë të nderuar, këto janë faktet se ju do të keni ujë 24 orë”- ka shkruar në mesazhin e tij në Facebook, Isa Mustafa.