FAK në rend dite më 5 maj, LDK nuk lëshon pe për ulëset e rezervuara

Kuvendi i Kosovës pritet të shqyrtojë amendamentet që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) në seancën që do të mbahet të hënën. Ismet Beqiri nga LDK ka ritheksuar se nuk do të lëvizin nga pozicioni i tyre për ulëset e rezervuara.

Lajme

28/04/2014 14:40

Amendamentet që kanë të bëjnë me themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës do të jenë në rend dite për votim në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës që do të zhvillohet  të hënën.

Vendimi i Kryesisë së Kuvendit pason deklaratat e kryeministrit Hashim Thaçi, i cili ka thënë se, nëse në ditët në vazhdim Kosova nuk themelon Ushtrinë e saj, atëherë do të humbet shansi historik për vite të tëra.

Pas mbledhjes së Kryesisë, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, tha se  ata nuk janë për të bërë marrëveshje lidhur me FAK apo ulëset e rezervuara.

“Ne nuk jemi ata që e bëjmë marrëveshjen ne e kemi kërkesën për të kaluar amendamentet në Kuvendin e Kosovës. Ne e dërgojmë në Kuvendin e Kosovës vendimi do të jetë i Kuvendit, se a do të votohet apo do të ketë një kërkesë për t’u hequr nga rendi i ditës”.

Ndërkaq, shefi i GP të LDK’së, Ismet Beqiri, është shprehur se do të votojnë pro themelimit të Forcave të Armatosura, por janë kundër vendeve të rezervuara.

“Ne edhe pa shkronjën “R” Republika do ta votojmë themelimin e FAK, sepse është në interes ë vendit ky transformim\”.

“Nuk e di kush po e ngrit dilemën që e ka bërë vet Thaçi që absolutisht është e paqëndrueshme të vihet dilemë që LDK e voton apo nuk e voton. Ajo që është e sigurt LDK nuk do të votojë në asnjë rrethanë për vendet e rezervuara”.

E për shefin e GP të AAK’së, Ardian Gjinin dy apo tre deputet serb më shumë në legjislaturën e ardhshme janë çmim i pranueshëm, për t’i hapur udhë themelimit të Forcave të Armatosura.

“Për disa subjekte politike ky është çmim tepër i madh. Unë mendoj se nuk e kanë kalkuluar çmimin mirë. Ne mendojmë se nuk është se nuk është kushedi çfarë çmim me i pas dy apo tre serb më shumë në Kuvendin e ardhshëm për ta arritur transformim e ushtrisë së ardhshme të Kosovës”.

“Nuk do të ndodhin Forcat e Armatosura kurrë, nëse në këtë legjislaturë nuk do të mund ta bëjmë këtë kompromis”.

Në anën tjetër, shefi i GP të Lëvizjes e Vetëvendosje, Visar Ymeri, potencoi se kushtëzimi i deputetëve të komunitetit pakicë është i papranueshëm dhe joparimorë .

“Lëvizja Vetëvendosje mendon se këto dy çështje janë të ndara. Nuk bënë ta pranojmë siç po pranohet shpeshherë këtu, ky kushtëzimi që po vjen nga deputetët e komunitetit serb në mënyrë kaq të lehtë”.

Shefi i GP të PDK’së, Adem Grabovci,  është i bindur se Forcat e Armatosura do të marrin dritën e gjelbër nga Kuvendi i Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës i ka përmbushur qoftë në Bruksel qoftë në Uashington qoftë në Neë York dhe kemi mbështetjen e fuqishme të gjithë këtyre aleatëve”.

“Kjo çështje është në duar të deputetëve të Republikës së Kosovës dhe kjo çështje nuk i takon vetëm një grupi por u takon të gjithë deputetëve, sepse kësaj i gëzohen të gjithë qytetarët”.

“Vendet e rezervuara janë një çështje tjetër, kjo mund të rregullohet në mes të liderëve politikë. Kemi të bëjmë me dy probleme të cilat janë të ndara”.