FAK i kushton Kosovës 5 milionë euro më shumë se FSK

Agim Çeku thotë se kalimi i FSK`së në Forca të Armatosura do të ndodh brenda disa muajsh. Sipas tij, kjo forcë për pesë vjet do të ketë në buxhetin e saj 5 milionë euro më shumë sesa që ka FSK. Ndërsa nuk pret anëtarësim të menjëhershëm në NATO.

Lajme

18/02/2014 07:16

Transformimi i FSK`së në Forca të Armatosura është vetëm çështje kushtetuese.

Ministri i FSK`së, Agim Çeku në një intervistë për lajmi.net thotë se një gjë e tillë do të ndodh brenda disa muajsh, pasi që nevojitet ndryshimi i ligjit për FSK`në.

Ai  këto vlerësime i bënë pas deklaratës së Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, i cili gjatë manifestimit Qendror për 6 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, tha se FSK së shpejti do të shndërrohet në ushtri.

Transformimi i forcës aktuale në forca të armatosura, pritet të ketë ndikim në Buxhetin e Kosovës. Megjithatë, Çeku pohon se janë llogaritur të gjitha kostot dhe se për pesë vitet e ardhshme kjo forcë do të ketë 5 milion euro më shumë në buxhetin e saj, sa ka aktualisht FSK.

Çeku flet edhe për anëtarësimin e kësaj force në NATO. Ai thotë se kjo nuk mund të ndodh brenda një periudhe të shkurtër kohore.

 Lajmi.net:Kryeministri Hashim Thaçi tha sot se shumë shpejtë pritet që FSK të shndërrohet në forca të armatosura, a i bije kjo që do të marrë statutin e Ushtrisë-Armatës apo do të jetë prapë një forcë me kompetenca të kushtëzuara?

Agim Çeku:Kryeministri e tha Forcat e Armatosura. Dihet se shumica e vendeve ushtritë e veta i quajnë forca të armatosura. Do të ketë disa lloje forcash. Kryeministri e tha shumë qartë do të ndryshojë edhe misioni edhe struktura edhe detyrat e FSK`së. Forcat e armatosura të  Kosovës do të jenë forca kombëtare, ushtarake të Republikës së Kosovës. Pa kurrfarë dyshimi do të jetë ushtri.

Lajmi.net:Kur pritet saktësisht të ndodhë kjo?

Agim Çeku:Edhe Kryeministri e tha kjo do të ndodh brenda disa muajve, tani varen vetëm procedurat parlamentare, procedurat ligjore. FAK  nuk mund të kryej detyra pa pasur ligj. Duhet të ndryshohet Kushtetuta duhet të ndryshohen ligjet.

Lajmi.net: A ka potencial Kosova që të mbajë një ushtri duke e ditur që kjo kërkon shpenzime të mëdha?

Agim Çeku:Kjo nuk është asgjë përmendësh, pothuajse një vit e gjysmë jemi duke e bërë rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë dhe dy çështje kanë qenë kryesore që t`i identifikojmë, nevojat kryesore që duhet t`i ketë Kosova për të garantuar sigurinë e vet sa është e përballueshme. Ne e kemi llogaritur këtë kosto dhe kostoja është deri në vitin 2019. Pesë vite me radhë çdo vit nga pesë milion më shumë nga buxheti aktual që ka FSK`ja.

Mendoj se është një shumë që Kosova mund ta përballojë. Ne i kemi parasysh mundësitë buxhetore të Kosovës dhe kjo është struktura e paraparë dhe numri i paraparë domethënë është kushtëzuar nga mundësitë buxhetore.

Lajmi.net:Si do të jetë kjo forcë, çfarë njësitesh do të ketë dhe si e parashihni ju këtë?

Agim Çeku:Kjo forcë do t`i ketë forcat tokësore. Do të jenë pesë rendimente të ndryshme. Do të jenë forcat operacionale tipike ushtarake me detyra ushtarake apo me gatishmëri të përhershme luftarake. Do ta kemi gardën kombëtare që do të jetë e ngjashme me gardën kombëtare me atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do ta kemi komandën logjistike që do t`i ketë të gjitha elementet duke filluar nga mirëmbajtja, furnizimi, transporti, depot dhe stoqet e ndryshme. Do ta kemi komandën e trajnimit dhe doktrinës dhe trajnimin e të gjitha njësiteve, të  gjitha forcave të armatosura”.

Lajmi.net: do të jetë pjesë e NATO’së menjëherë pas transformimit në FAK?

Agim Çeku:Nuk do të ndodh menjëherë, por ky është synim i yni objektiv i yni. Kosova tani kur e ka forcën e vet të armatosur ka çka t`i ofrojë NATO`së. NATO nuk është privilegj, por edhe obligim i çdo vendi.

Ne duhet të jemi të gatshëm që të kemi forca që mund t`i ofrojmë NATO`së në misione të ndryshme. Atëherë rruga jonë do të jetë shumë shpejt drejtë integrimit në NATO. Është perspektivë e hapur, është objektiv i yni, është objektiv konsensual i spektrit politik, i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe rruga jonë drejtë NATO`së do të jetë shumë më e shpejtë se sa e vendeve tjera që janë anëtarësuar në NATO.