Evropa punon për të mbajtur Greqinë në Eurozonë

Një ditë para samitit urgjent të Eurozonës, udhëheqësit evropianë kanë përtërirë përpjekjet për të arritur marrëveshje midis Greqisë dhe kreditorëve të saj, e cila do t’i ndihmonte Athinës të shmangë dështimin e pagesës së borxheve dhe daljen potenciale të saj nga zona euro.

Bota

21/06/2015 18:57

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, ka zhvilluar të dielën biseda të ndara telefonike me presidentin e Francës, Francois Hollande, kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Zyra për media e Tsipras ka thënë se ky i fundit “u ka prezantuar tre liderëve propozimin e Greqisë për marrëveshje reciprokisht të dobishme, e cila do të siguronte zgjidhje të përhershme dhe jo vetëm shtyrje të problemit”, raporton Evropa e Lirë.

Më vonë, Hollande u ka thënë gazetarëve në Millano, ku ka takuar kryeministrin e Italisë, Matteo Renzi, se duhet bërë gjithçka për të mbajtur Greqinë në Eurozonë.

Hollande ka thënë se “nëse grekët lënë Eurozonën, një gjë e tillë nuk do të ishte pozitive as për grekët, as për evropianët”.

Greqia ka më pak se dy javë kohë për të arritur marrëveshje me kreditorët ndërkombëtarë; në të kundërtën, nuk do të mund t’i paguajë borxhin Fondit Monetar Ndërkombëtar, në vlerë prej 1.6 miliard eurosh.

Kreditorët e saj – Komisioni Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Evropiane – nuk janë të gatshëm të zhbllokojnë fondet e ndihmës derisa Greqia të mos bie dakord për reformat.