“Evropa po kërcënohet nga fruthi”- Pesë raste të fruthit lajmërohen në tri komuna në Kosovë, IKSHPK tregon si mund t’i parandalojmë rreziqet nga kjo sëmundje
Që nga fillimi i vitit 2025 e deri më sot, në tri komuna të Kosovës janë paraqitur pesë raste të fruthit. Në lidhje me përhapjen e kësaj sëmundje në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka thënë se është shumë e rëndësishme që të bëhet vaksinimi i fëmijëve. “Nga janari e deri…

Lajme
Që nga fillimi i vitit 2025 e deri më sot, në tri komuna të Kosovës janë paraqitur pesë raste të fruthit.
Në lidhje me përhapjen e kësaj sëmundje në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka thënë se është shumë e rëndësishme që të bëhet vaksinimi i fëmijëve.
“Nga janari e deri më tani (2025) në Kosovë janë konfirmuar 5 raste të fruthit. Komunat ku janë regjistruar raste kanë qenë: Fushë Kosova, Gjakova dhe Deçani”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.
Situata është nën monitorim të përhershëm të IKSHPK-së, që si institucion, u bën thirrje prindërve, t’i vaksinojnë fëmijët me dy dozat e vaksinës MMR.
IKSHPK në një përgjigje për lajmi.net, ka thënë se fëmijët e pavaksinuar janë më të rrezikuarit nga kjo sëmundje.
Sipas tyre, fëmijët duhet të marrin dy doza të vaksinës kundër fruthit (MMR jepet së bashku si vaksinë kundër fruthit, shytave dhe rubeollës), doza e parë jepet në moshën 12 muajshe, ndërsa doza e dytë në moshën 6 vjeçe.
IKSHPK ka thënë për lajmi.net se 89% të fëmijëve kanë marrë dozën e parë të vaksinës në moshë 12 muajshe, ndërsa dozën e dytë kanë marrë 94% në moshën 6 vjeçare.
“Vaksinimi kundër fruthit në çdo shtet bëhet për moshat fëmijërore. Ka raste kur mund të merret edhe te moshat më të rritura, por, si vaksinë MMR është e dedikuar për vaksinim të fëmijëve”, ka thënë IKSHPK për lajmi.net.
Nga ky institut gjithashtu kanë folur edhe për rrezikun e madh që paraqet fruthi si sëmundje.
“Fruthi është sëmundje shumë serioze, gjashtë herë më ngjitëse se gripi, dhe mund të shkaktojë komplikime si: infeksion të veshit, pneumoni, humbje të përhershme të dëgjimit, inflamacion të trurit edhe vdekje. Por, vaksina MMR e cila është në përdorim prej më shumë se 60 viteve, është mbrojtja më e mirë, e sigurt dhe efektive”, ka thënë IKSHPK.
Ekspertët tregojnë se simptomat e fruthit zhvillohen mes 6 dhe 19 ditëve pas kontaktit me infeksionin.
Simptomat e para, të cilat zakonisht zgjasin 2-3 ditë, përfshijnë një ndjenjë të përgjithshme se nuk jeni mirë, keni koll, sy të lodhur, shenja në lëkurë dhe temperaturë deri në 40 gradë celsius.
Fëmijët gjithashtu mund të ankohen se drita ua lëndon sytë.
Virusi i fruthit mbahet në miliona pikëza të vogla të cilat dalin nga goja dhe hunda kur një person i infektuar kollitet apo teshtinë.
Kjo do të thotë se shumë lehtë mund të sëmureni nga fruthi nëse veç i nuhatni këto pikëza ose nëse e prekni sipërfaqen ku këto pikëza gjinden dhe pastaj i vendosni duart afër hundës apo gojës.
Ndryshe së fundi është raportuar se Evropa po kërcënohet nga fruthi. Alarmi vjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë e cila bën me dije se 127,350 raste me fruth janë raportuar përgjatë vitit 2024 në Rajonin Evropian, duke shënuar një dyfishim të rasteve krahasuar me 2023 dhe numrin më të lartë të infeksioneve që nga viti 1997.
Fëmijët nën 5 vjeç përbënin më shumë se 40% të rasteve të raportuara, ndërsa më shumë se gjysma e pacientëve kërkuan shtrimin në spital.
Deri më 6 mars 2025, janë raportuar 38 vdekje nga fruthi.
Ekspertët fajësojnë për rritjen e infektimeve, uljen e mbulesës vaksinale. Në vitin 2023, 500,000 fëmijë nuk morën dozën e parë të vaksinës kundër fruthit
Bosnje Hercegovina, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Rumani renditen në fund të vendeve me mbulesën vaksinale nën 80% të fëmijëve. Sa i takon Shqipërisë, edhe pse me rënie vitet e fundit, mbulesa vaksinale për fruthin është në masën 93%, ndërkohe që rekomandimet janë mbi 95% për të siguruar mbrojtjen e popullatës.
Fruthi është një nga viruset më ngjitës dhe mund të shkaktojë komplikime serioze si pneumonia, encefaliti, diarre dhe dehidratimi, madje edhe verbëri dhe dëmtime afatgjata të sistemit imunitar. Vaksinimi mbetet mbrojtja më e mirë kundër tij. /Lajmi.net/