Europol shkatërron bandën shqiptare të kokainës. Në pranga Eldi Dizdari, i përfshirë në vrasjen në ish-Bllok
Një operacion policor ndërkombëtar çoi në arrestimin e grupit të ashtuquajtur “Kompania Bello”, të cilin Europol e përshkroi si një ndër rrjetet më aktive të trafikut të kokainës në Evropë.

Lajme
Operacioni i koduar “Los Blancos”, kryer më 15 shtator dhe njoftuar ditën e sotme, përfshiu bashkëpunimin e policisë së 10 shteteve dhe solli arrestimin e të paktën 20 personave, mes së cilëve pesë shqiptarë:
- Denis Matoshi, njohur ndryshe si Elti Dizdari, 30 vjeç, arrestuar në Dubai;
- Lek Çolaj, 40 vjeç, arrestuar në Rumani;
- Sokol Aliko, njohur ndryshe si Sokol Memetaj; 36 vjeç; arrestuar në Spanjë;
- Robert Varga, 44 vjeç, arrestuar në Hungari;
Arrestimi i Matoshit është bërë për llogari të Interpol Tirana, pasi është një emër i njohur për policinë shqiptare. Ai është hetuar lidhur me ngjarjen e ndodhur më 4 tetor të vitit 2018 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljo Hato.
Në atë kohë Matoshi mendohej si person kyç për hetimin.
Pesëmbëdhjetë personat e tjerë të operacionit “Los Blancos” u arrestuan në Itali, Holandë, Gjermani dhe Greqi.
Policia shqiptare dha më shumë detaje në mesditë duke treguar se përveç 5 të arrestuarve, i qe komunikuar masa e sigurisë “arrest me burg” edhe Altin Velsulës, njohur ndryshe edhe si Altin Hoxha (36 vjeç) i cili aktualisht ndodhet në burg në Norvegji.
Të arrestuarit akuzohen për trafik ndërkombëtar droge, përfshirje në grupe të strukturuara kriminale dhe dhunë.
Operacioni i Europol lidhet me arrestimin e bërë kohë më parë të 84 anëtarëve të tjerë të këtij grupi kriminal në Itali, Ekuador, Holandë, Mbretëri e Bashkuar, Zvicër dhe Gjermani.
Hetimet patën nisur që në vitin 2015 dhe gjatë kësaj periudhe janë mbi 5 milionë e gjysmë euro dhe pothuajse 4 tonë kokainë që janë kapur dhe sekuestruar.
Si funksiononte grupi kriminal
Për vite me radhë, importuesit ndërkombëtar punonin veçmas grosistëve dhe bandave që shpërndanin drogën në rrugë. Në këtë rast, rrjeti shqipfolës kontrollonte gjithë zinxhirin, nga organizimi i dërgesave të mëdha nga Amerika Veriut e deri tek shpërndarja në Europë.
Duke përdorur mjete komunikimi të sofistikuara dhe të koduara, kreu i organizatës kriminale, një 40-vjeçar me origjinë shqiptare që jeton në Ekuador, negocionte drejtpërdrejt me kartelat e Amerikës së Jugut, organizonte dërgesa të mëdha kokainë në portet kryesore të Europës dhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve në Itali, Holandë dhe Shqipëri përgatisnin shpërndarjen në mbarë Europën.
Kokaina trafikohej në vendet e Europës nëpërmjet automjeteve të modifikuara.
Banda bënte pastrim parash përmes një sistemi remitancash me origjinë nga Kina, i njohur si sistemi “fei ch’ien”.
Një operator në krahun tjetër tërheq shumën e parave në një vend tjetër në botë dhe ia kalon marrësit të shumës.
Rrjeti mendohet se ndihmonte në pastrimin e miliona eurove duke mos lënë asnjë gjurmë për hetuesit.
Nga ana e saj policia shqiptare bën me dije se në Shqipëri, operacioni është zhvilluar nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Vlorë, Lezhë, Durrës e Shkodër, me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, të Njësisë së Kërkimit “Fast” dhe të Zyrës së Interforcës në Shqipëri.
Si rezultat i operacionit, në Tiranë, Vlorë, Lezhë e Durrës, janë kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi, 5 të kërkuar.