Eurodeputetët kërkojnë hetim ndërkombëtar për sulmin terrorist në Zubin Potok

Komisioni për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian ka debatuar për sulmin terrorist në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok. Kryetari i këtij komisioni, David McAllister, shprehu shqetësimin e PE-së për sulmet e fundit në veri të Kosovës, teksa rikujtoi se Parlamenti Evropian ka dënuar fuqishëm këto akte, që tha se e destabilizojnë…

Lajme

02/12/2024 20:20

Komisioni për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian ka debatuar për sulmin terrorist në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Kryetari i këtij komisioni, David McAllister, shprehu shqetësimin e PE-së për sulmet e fundit në veri të Kosovës, teksa rikujtoi se Parlamenti Evropian ka dënuar fuqishëm këto akte, që tha se e destabilizojnë Kosovën.

Ndërkohë, disa deputetë të Parlamentit Evropian, edhe pse kanë shprehur solidaritetin me Kosovën, kanë thënë se duhet të shohin më shumë prova rreth përfshirjes së autoriteteve të Serbisë në sulmet në veri dhe disa prej tyre kanë kërkuar hetim ndërkombëtar.

“Faleminderit për këtë prezantim goxha tronditës por edhe të qartë. Të gjithë kemi arsye për të refletuar mbi këtë situatë, dhe të gjitha vrojtimet që patët mbi atë që ka ndodhur. Kur ta kemi presidentin Vuçiq në Bruksel nesër, do të shohim si do të reagojë. Duhet të shohim se çfarë ka ndodhur. Sigurisht se duhet të kontrollohen të gjitha dokumentet, megjithëse mund të jetë e vështirë të kuptohet çdo gjë. Janë bërë pretendime goxha serioze, por pyetja e parë doi të ishte çfarë provash tashmë janë vënë në dispozicion në mbështetje të këtyre pretendimeve apo akuzave. Besoj fuqimisht se edhe organi ekzekutiv siç është Komisioni Evropian do të duhej t’i merrte këto gjëra shumë seriozisht nëse të gjitha këto që i keni thënë ju dëshmohen të vërteta. Por duhet të kemi fakte”, tha Michael Gahler eurodeputet nga Gjermania pas fjalimit të Donika Gërvallës.