EULEX sërish aktakuzë ndaj Lushtakut, hetohet për tender 6 milionësh

Misioni i EULEX-it ka ngritur sërish një aktakuzë kundër kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtakut. Por kjo akuzë, kësaj radhe nuk ka të bëjë me luftë, por në një përfshirje korruptive.

Lajme

17/01/2015 08:45

Ndikimi i Sami Lushtakut mbi drejtorin e KEK-ut, Arben Gjuka, dhe kryetarin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, ka rezultuar që një tender milionësh t’i jepet djalit të vëllait të tij, Milaim Lushtaku, shkruan sot Koha Ditore.

Si pasojë KEK-u është dëmtuar mbi gjashtë milionë euro. Vlerën e këtij dëmi e ka llogaritur Prokuroria, që ka ngritur aktakuzë të premten kundër kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe gjashtë personave të tjerë.

EULEX-i ka njoftuar për ngritjen e aktakuzës pa dhënë detaje. “Koha Ditore” ka zbuluar se prokurori i EULEX-it hetimet dyvjeçare i ka finalizuar me ngritjen e aktakuzës kundër Sami Lushtakut, kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, drejtorit menaxhues të KEK-ut, Arben Gjukaj, shefit të prokurimit në këtë kompani publike, Hasan Pruthi, dhe pronarëve të kompanisë “Security Code”, Milaim Lushtaku dhe Esat Tahiri, dhe partnerit të tyre në këtë tender, drejtorit të WDG-së, Agron Jusufi.