EULEX i domosdoshëm në Kosovë

Deputeti Burim Ramadani thotë se EULEX duhet të qëndrojë në Kosovë, sepse organet e zbatimit të ligjit të Kosovës ende nuk e kanë nivelin e duhur profesional për t’u marrë me raste të ndjeshme. Sipas tij, ekspertiza e EULEX'it nevojitet më shumë në Veri.

Lajme

17/01/2014 07:29

Çështja e mandatit të EULEX’it dhe ndryshimit të kompetencave të tij ka zgjuar debat të madh në mesin e spektrit politik kosovar, ndërsa kërkesat që ky mision të largohet nga Kosova janë shfaqur edhe më parë.

Ndërkohë, Zëvendëskryeministri, njëherësh edhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, po qëndron në Bruksel për të diskutuar me përfaqësuesit e Bashkimit Europian për rishikimin strategjik të misionit të EULEX’it.

Por, Burim Ramadani, deputet i Kuvendit të Kosovës nga AAK, thotë se qëndrimi apo jo i EULEX’it në Kosovë nuk duhet të jetë temë e diskutimit.

Në një deklaratë për lajmi.net, Ramadani thotë se çështja e cila duhet të diskutohet është ndryshimi konceptual i funksionimit të këtij misioni dhe bashkëpunimi i tij me institucionet vendore.

“Jo vetëm që bën mirë që EULEX të qëndrojë në Kosovë, por është e domosdoshme që të qëndrojë”.

“Por, ajo që është tepër me rëndësi – është rikornizimi i raporteve me institucionet vendore dhe rikornizimi i formës së punës së personelit të EULEX’it”.

“Nuk është e diskutueshme a duhet të qëndrojë a jo. Është e domosdoshme që EULEX’i të qëndrojë në Kosovë”.

“EULEX’i, për bindjen tonë dhe për bindjen time, është i nevojshëm për Kosovën, sidomos në rastet sensitive të krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Deputeti Ramadani thotë se institucionet vendore të zbatimit të ligjit nuk janë ende në nivelin e duhur profesional për ta luftuar krimin e organizuar dhe rastet e tjera sensitive. Prandaj, ai mendon se ndihma e EULEX’it në këtë aspekt është më se e domosdoshme.

“Është tepër e qartë se institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë edhe më tutje nuk kanë arritur nivelin e profesionalitetit dhe kapaciteteve të nevojshme”.

“Unë nuk besoj se institucionet e zbatimit të ligjit, duke përfshirë Prokurorinë dhe Gjyqësinë, janë në nivel të profesionalitetit dhe kapacitetit për të bërë punën, sidomos në rastet sensitive të krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

“Prandaj, është e domosdoshme që EULEX’i të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë, është e nevojshme ndihma profesionale e misionit të EULEX’it”.

Burim Ramadani thotë se ndihma e EULEX’it më shumë duhet fokusuar në Veri të vendit, sepse, sipas tij, atje ka raste sensitive, duke nënkuptuar nivelin e lartë të korrupsionit dhe kontrabandës.

“Besoj se situata në Veri normalisht është më e ndjeshme dhe mekanizmi i misionit të EULEX’it duhet të jetë i fokusuar në Veri. Po ashtu, bazuar në nivelin e madh të krimit të organizuar dhe kontrabandës atje. Prandaj, është e nevojshme që të jenë atje, në Veri”, thotë Burim Ramadani për lajmi.net.