EULEX do të ketë punë në Veri

Kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, thotë se edhe hetuesit e EULEX’it do të inkuadrohen në hetimin e rasteve eventuale të manipulimit të zgjedhjeve në Veri të Kosovës. E për manipuluesit, do të pasojë dënimi prej 3 deri në 5 vjet burg.

Lajme

18/09/2013 12:46

Me marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet Kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Misioni i OSBE’së në Kosovë do t’i organizojë zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok).

Ndërsa një mision tjetër ndërkombëtar (EULEX) ka marrë përsipër që t’i angazhojë prokurorët e vet për të hetuar ndonjë keqpërdorim të mundshëm të votave në atë pjesë të Kosovës.

Kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, ka thënë të mërkurën se prokurorët ndërkombëtarë do të kenë rol aktiv në veri, në ndjekjen e të gjithë atyre që kryejnë vepra penale gjatë zgjedhjeve.

“Do të ketë prokurorë kujdestarë të EULEX’it dhe prokurorë vendorë për pjesën veriore të cilët do punojnë me ekipe të përziera”.

Ai tha se për çfarëdo manipulimi gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit, do të ketë masa ndëshkuese të cilat, sipas Kodit Penal, përfshijnë edhe dënim me burg prej 3 deri në 5 vjet.

“Në fillim politika ndëshkimore nuk ishte e nivelit që duhet të luajë, atë të rolit parandalues të kryerjes së veprave penale, mirëpo me ankesat e prokurorëve ajo politikë ndëshkimore më vonë është përmirësuar dukshëm”.

“Do të kemi prokurorë kujdestarë që do ta mbulojnë tërë territorin e Kosovës dhe do të veprojnë  menjëherë sapo të marrin informatë se është kryer një vepër penale gjatë procesit të zgjedhjeve.’

Rreth 1450 persona janë akuzuar deri më tani për keqpërdorime gjatë zgjedhjeve të fundit të mbajtura në Kosovë në vitin 2010.

Në përpjekje për t’i parandaluar këto keqpërdorime, KQZ ka nënshkruar të marrëveshje mirëkuptimi me Këshillin Prokurorial të Kosovës, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Policinë e Kosovës dhe Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Të gjithë, nënshkruesit e memorandumit u zotuan se të gjithë ata që kryejnë vepra penale gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit do të ndiqen penalisht para organeve të drejtësisë.