Etiopia kërcënon Serbinë me njohje të Kosovës, nëse nuk i paguhet borxhi

Shteti afrikan i Etiopisë e ka kërcënuar Serbinë me njohje të Kosovës, nëse nuk i kthehet borxhi prej 100 milionë dollarë. 

Lajme

30/12/2014 13:26

Etiopia ka raportet të mira me Serbinë, të trashëguara nga Jugosllavia, por çështja e këtij borxhi, mund t’i prish qëndrimin e Adis Abeba-s zyrtare. Sipas burimeve të gazetës serbe “Novosti”, bëhet fjalë për një borxh të vjetër të armatimit.

Gjithashtu, problem tjetër paraqitet ndërtesa në të cilën ndodhën ambasada serbe në kryeqytetin etiopian, e që i ishte dhënë dhuratë ish-kryetarit të Jugosllavisë, Josip Broz Titos nga udhëheqësi i atëhershëm i këtij shteti, perandori Haile Selassie.

Sipas këtyre burimeve, Etiopia i ka dërguar sinjalet e para te Beogradi zyrtar, që të fillojë të paguajë borxhin dhe ta kthejë ndërtesën, në mënyrë që raportet të vazhdojnë të jenë të njëjta, duke mos e njohur Kosovën, transmeton lajmi.net.

Në Etiopi është edhe selia e Bashkimit Afrikanë, në të cilin bëjnë pjesë 54 shtete anëtare, ku 22 prej tyre tashmë e kanë njohur Kosovën. Njohja e Kosovës nga ky shtet, sipas këtyre burimeve, do të kishte një efekt domino edhe te shtetet tjera afrikane.

Ndërkohë ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar se në ditët e ardhshme një grup i zyrtarëve serbë do të udhëtojnë në Adisa Abeba, ku do të mbahet edhe samiti i Afrikës në datat nga 26 deri më 31 janar. Sipas tij, ky samit do të shfrytëzohet nga Serbia që të bisedojë për çështjet e pazgjidhura që i ka me Etiopinë, në mnëyrë që të ndalet njohja e Kosovës.