“Është propozuar që Lajcakut t’i vazhdohet mandati edhe për pesë muaj të tjerë” – Thonë nga BE

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur që emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është propozuar që t’i zgjatet mandati edhe për pesë muaj të tjerë. Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali në konferencën për media, ka bërë të ditur se propozimi është që Lajçak të qëndrojë në pozitën e emisarit deri më 31 janar…

Lajme

05/07/2024 16:25

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur që emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është propozuar që t’i zgjatet mandati edhe për pesë muaj të tjerë.

Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali në konferencën për media, ka bërë të ditur se propozimi është që Lajçak të qëndrojë në pozitën e emisarit deri më 31 janar 2025 dhe vendimi pritet të merret nga Këshilli i BE-së.

Vetë Miroslav Lajçak konfirmoi muajin e kaluar se nuk është afër fundit të mandatit të tij si i ngarkuar për t’u marrë me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se puna e tij vazhdon.

“Puna ime vazhdon” dhe “nuk do të shkoj askund”, i tha ai i pyetur për punën në kuadër të dialogut.

“Ndoshta nuk jam aq afër fundit të mandatit tim sa mendohej fillimisht. Pra, ajo që mund të them është se puna ime vazhdon. Unë nuk do të shkoj askund së shpejti. Nuk jam ende në disponim për t’i dhënë këshilla pasuesit tim”, tha Lajçak.

Në prill, kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borell, emëroi Lajçakun si ambasador të ri të BE-së në Zvicër, dhe pritet ta marrë detyrën më 1 shtator të këtij viti.

Në mesin e kandidatëve që janë përmendur deri tash si pasardhës të mundshëm të tij është ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor. Vetë ai dhe Ministria e Jashtme e Sllovenisë kanë konfirmuar se ka interes për këtë post.

Nën Lajçakun si emisar, në vitin 2023, është arritur edhe Marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve, e cila u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por që ka mbetur kryesisht e pazbatuar.

Me gjithë trysninë perëndimore, marrëveshja e arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe Ohër ende nuk ka nisur të zbatohet, ndonëse Bashkimi Evropian ka theksuar disa herë se ajo është ligjërisht e detyrueshme për palët dhe nga zbatimi i saj varet përparimi drejt integrimeve evropiane.

Në takimin e fundit të nivelit të lartë që u mbajt më 26 qershor në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzoi ta takojë presidentin serb, Vuçiq. Ai paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

Kurti tha se pa dorëzimin e Milan Radoçiqit dhe grupit paramilitar serb që kryen sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit të kaluar, nuk mund të ketë mirëbesim në dialogun me Serbinë.

Shefi i ekzekutivit kosovar, nuk pranoi të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq pa u bërë formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve; tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023, dhe dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.

Pajtim për mënyrën e zbatimit të Marrëveshjes Bazike, nuk sollën as mbi 7 orë takime bilaterale e trilaterale në nivel kryenegociatorësh të kësaj jave në Bruksel.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e akuzoi palën serbe se dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të Marrëveshjes Bazë, ndërsa kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, e kritikoi palën kosovare se nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.