Është liruar tri vjet para se të përfundojë dënimin me burg krimineli i luftës në Kosovë

Tri vjet pa e përfunduar dënimin e tij, Miodrag Solaja, është liruar nga burgu në Serbi.

Lajme

06/08/2019 21:39

Ai u dënua pasi u gjet fajtor për vrasjen e 14 civilëve shqiptarë, gjatë luftës së fundit në Kosovë, 1998-99, në masakrën ndaj familjes Bogujevci.

Ai ishte i dënuar me 15 vjet burgim.

Lidhur me këtë rast ka reaguar zëvendëskryeministri në dorëheqje i Kosovës, Enver Hoxhaj. Sipas tij, Serbia në vazhdimësi po tallet me viktimat e luftës, teksa ka thënë se këtë e ka bërë në Bosnje e po vazhdon ta bëjë edhe me Kosovën.

“Këto ditë në Serbi është liruar nga burgu, tre vjet para përfundimit të dënimit, personi i cili është akuzuar dhe dënuar për vrasjen e 14 civilëve shqiptarë në Kosovë. Nga ky krim arritën të shpëtojnë pesë fëmijë, e në mesin e tyre edhe Saranda Bogujevci”, ka thënë Hoxhaj, përcjell Koha.net. “Lirimi i kriminelit serb është dëshmi që Serbia po vazhdon të luajë me nervat e të gjithëve në të gjitha planet, madje edhe atë ushtarak”, ka thënë më tej Hoxhaj.