“Erveheja” do të rikthehet në Teatrin Kombëtar (Foto)
Drejtori i porsaardhur i Teatrit Kombëtar të Kosovës, regjisori Agim Sopi, e vlerëson këtë institucion si të zhveshur nga përmbajtja që nga shkatërrimi i autonomisë së Kosovës në kohën e ish-Jugosllavisë.

ShowBiz
Ai konsideron se kjo gjendje ka vazhduar edhe pas luftës së fundit në Kosovë dhe thotë se nuk mund të krenohemi që kemi pas një teatër të vërtetë kombëtar.
Sopi në një intervistë për KultPlus, deklaron se hapi i parë që do të ndërmarrë është synimi i rikthimit të përmbajtjes së teatrit dhe profesionalizmit.
“Meqë thash që teatri duhet të jetë një pasqyrë elitare ose një pasqyrë shpirtërore e atij vendi që e prezanton, ne do të përpiqemi që teatrin ta shndërrojmë në një shtëpi të kultivimit të dramës dhe teatrit origjinal”, shprehet Sopi.
Regjisori i filmit “Agnus Dei”, shtuar se do të përpiqet që të rikthej dramën origjinale. Ai ka bërë të ditur se gjatë këtij viti do të rikthehet shfaqja “Erveheja” e autorit Ahmet Qirezi dhe regjisorit Muharrem Qena.
“Në 70 vjetorin e teatrit dhe 50 vjetorin e shfaqjes ‘Erveheja’, këtë të fundit do ta riinskenojmë duke dizajnuar një repertor kryesisht me tekstet më elitare të dramës shqiptare”, ka thënë Sopi.
“Erveheja” flet mbi bukurinë, dashurinë dhe besnikërinë dhe luftën jetësore të një gruaje, që përjeton furishëm dhe pamëshirshëm stuhitë dhe katanditë shpirtërore në dallgët e jetës së saj.
Drama e autorit Qirezi është e bazuar në poemën e gjatë me të njëjtin titull të Muhamet Çami-Kyçyku. Kjo dramë është inskenuar në ish-Teatrin Popullor Krahinor, tani Teatrit Kombëtar i Kosovës, në vitin 1966. Rolin kryesor e ka luajtur aktorja Melihate Ajeti. “Erveheja” konsiderohet si shfaqja më e mirë e luajtur ndonjëherë në skenën e TKK-së./lajmi.net