“Erdhi dita” për BQK-në: Njeriu i Vetëvendosjes zgjedhet kryetar bordi në Bankën Qendrore

Bashkim Nurboja, nga dje ka nisur ta ushtrojë detyrën e Kryetarit të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. Këtë të ditur e bëri vet BQK me anë të një komunikate për media. Një zyrtar i partisë në pushtet, Vetëvendosje, është rehatuar në një pozitë shumë të rëndësishme në Bankën Qendrore të Kosovës, shkruan lajmi.net. Bashkim…

Lajme

04/02/2023 11:59

Bashkim Nurboja, nga dje ka nisur ta ushtrojë detyrën e Kryetarit të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. Këtë të ditur e bëri vet BQK me anë të një komunikate për media.

Një zyrtar i partisë në pushtet, Vetëvendosje, është rehatuar në një pozitë shumë të rëndësishme në Bankën Qendrore të Kosovës, shkruan lajmi.net.

Bashkim Nurboja në karrierën e tij politike e profesionale ka pasur një lidhje të ngushtë e të afërt me pushtetin e Vetëvendosjes.

“Flirtimi” i tij zyrtar me VV-në kishte nisur më 2017 kur kishte kandiduar për kryetar të Pejës, nën logon e partisë së Kurtit.

Por këtu s’përfundonte. Nurboja ia kishte mësyer edhe Kuvendit të Kosovës si kandidat nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo ndodhi në zgjedhjet e vitit 2019. Por, dështoi të zgjidhet duke marrë pak mbi 2 mijë e 400 vota.

Dështimi i dyfishtë në garën përmes votave e kishte çuar Nurbojën në rrjedhën e kyçjes në Qeveri.

Në Qeverinë Kurti 1, Nurboja ushtroi për disa muaj detyrën e zëvendësministrit në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.

Rënia për disa muaj nga pushteti, e rikthimi në karrigen e kryeministrit nga Kurti nuk kishte ndikuar që Nurboja të lihej në harresë. Në nëntor të vitit 2021, ai u zgjodh anëtar bordi në BQK.

“Hajri” nga pushteti kulmoi dje kur ai u zgjodh kryetar bordi.

“Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 3 shkurt 2023, mori vendimin si në vijim:Z. Bashkim Nurboja është zgjedhur kryetar i Bordit të Bankës Qendrore. Gjithashtu, Bordi u njoftua me Raportin mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv”, u tha në komunikatën e BQK-së.

Tashmë në opinion është shndërruar në “klishe” përmendja e parimeve me të cilat Vetëvendosje kishte ardhur në pushtet.

Ishte vet kryeministri Kurti, dikur kryeopozitar, ai që zëshëm kritikonte punësimet politike e familjare në borde, duke u zotuar fuqishëm se nën udhëheqësinë e tij një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Por edhe ky, sikurse shumë e shumë parime të tjera të Kurtit në të cilat ai thirrej sa s’ishte në pushtet, ranë në ujë kur ai erdhi në karrigen e kryeministrit.

Nurboja nuk është emri i vetëm i përmendur ditëve të fundit për emërim në baza partiake.

Rilind Gërvalla, njeri fort i afërt me Vetëvendosjen, dikur edhe pjesë e kësaj partie, para ca ditësh u zgjodh drejtor në RTK.

Kjo shkaktoi reagime të ashpra nga opozita e shoqëria civile

Pa reaguar nuk lanë as organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e mediave.

Zgjedhja e Gërvallës në RTK madje nxiti edhe bojkotimin e transmetuesit publik nga Lidhja Demokratike e Kosovës. /Lajmi.net/