Enver Hoxhaj kërkon anëtarësimin e Kosovës në SEECP

Gjatë qëndrimit në Rumani, ku po mbahet takimi i dytë joformal i këtij forumi, Ministri Hoxhaj, para homologëve të tij, ka folur për relevancën e SEECP’së, për rajonin si dhe argumentet pse Kosova duhet të anëtarësohet në këtë organizatë.

Lajme

18/02/2014 16:28

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kërkuar që Kosova të bëhet anëtare e Organizatës së Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).

Gjatë qëndrimit në Rumani, ku po mbahet takimi i dytë joformal i këtij forumi, Ministri Hoxhaj, para homologëve të tij, ka folur për relevancën e SEECP’së, për rajonin si dhe argumentet pse Kosova duhet të anëtarësohet në këtë organizatë.

Hoxhaj tha se ky takim është një mundësi e mirë për të shkëmbyer perspektivat dhe shqetësimet lidhur me zhvillimet e fundit në rajon, duke shtuar se prezantimi kredibil në këtë takim, dëshmon se SEECP do të mbetet një platformë serioze e avancimit të bashkëpunimit në rajon.

Ministri Enver Hoxhaj u takua me homologun e tij rumun, Titus Corlatean

 

“Ne ndajmë të njëjtat pikëpamje se projekti evropian është i bazuar në bashkëpunim, si një mjet për  fuqizimin e pajtimit, zhvillimit ekonomik dhe progresit të mëtutjeshëm. Prandaj, angazhimi për bashkëpunim rajonal është në të njëjtë kohë nevojë dhe instrument efektiv për integrime evropiane”, tha Hoxhaj.

Lidhur me përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në organizatat rajonale, ministri Hoxhaj para ministrave të jashtëm të vendeve të rajonit, pjesëmarrës në këtë takim, ka thënë se në gjashtë vjetët e fundit Kosova ka pasur dy fokuse kryesore.

“I pari ishte shtëtndërtimi i brendshëm, ku ne arritëm të ndërtojmë një shtet multietnik, demokratik dhe sekular. Dhe fokusi i dytë ishte fuqizimin i pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Që nga viti 2008, Kosova i ka provuar bashkësisë ndërkombëtare se është një faktor i sigurisë dhe stabilitetit në rajon, dhe kemi dëshmuar vullnetin për të fuqizuar bashkëpunimin me të gjithë fqinjët dhe vendet e rajonit”, tha Hoxhaj.

Duke iu referuar edhe marrëveshjes së arritur në mars 2012 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë lidhur me përfaqësimin dhe pjesëmarrjen rajonale, Hoxhaj theksoi rezultatet që janë arritur si dhe pengesat që janë hasur në këtë drejtim si pasojë e politikave përjashtuese dhe pozitave bllokuese të Serbisë.

“Bashkëpunimi rajonal pa Kosovën është i pakompletuar”, tha Hoxhaj, duke shprehur përkushtimin e plotë të Kosovës për të qenë pjesë e të gjitha institucioneve dhe organizatave në rajon.

“Ne iu jemi mirënjohës të gjithë anëtarëve për mbështetjen për anëtarësimin dhe e çmojmë lartë thirrjen e Bashkimit Evropian për të mirëpritur përfshirjen e Kosovës në Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore. Kjo do të ishte në përputhje edhe me marrëveshjet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së  Serbisë të arritura në Mars 2012 dhe Prill 2013”, tha Hoxhaj.