“Endrit Shala mund të vendosë masa reciproke ndaj Maqedonisë së Veriut”

Anëtarja e kryesisë së Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami, ka bërë të ditur se ministri i Tregtisë, Endrit Shala, shumë shpejt mund të vendosë masa reciproke ndaj Maqedonisë së Veriut.

Lajme

12/08/2019 19:11

Ajo këto komente i ka bërë në emisionin Info Magazine duke shtuar se nëse ministri Shala nuk merr një përgjigje nga ministri i Maqedonisë, atëherë ai do të detyrohet t’i mbrojë interesat e vendit.

“Ministri Shala është në vijën të cilën kryetari Limaj e mbanë që nga viti 2017, pas marrjes së detyrave në Qeveri ku i kemi zhvilluar takimet për bizneset e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Duhet të sillemi ndaj secilit shtet ashtu sikurse ata që sillen me neve”.

“Nuk do ta lejojmë përbuzjen e mallrave tona nëpër vendet e rajonit. Konform zotimit të Kryetarit Limaj, ministri Shala i ka bërë politikat brenda institucionit që e ka udhëhequr”.

“Shala e ka marrë vendimin që në produkte mos te ketë emërtime si ‘Kosova i Metohija’. Deri më tash është nënçmuar shteti jonë dhe tani me vendimin e ministrit Shala, produkteve kosovare iu ka dhënë tjetër rëndësi”.

“Besoj që këto ditë nëse nuk ka një përgjigje nga ministri i Maqedonisë së Veriut, Ministri Shala do të dalë me një vendim – në këtë rast është për të mirën e vendit. Nëse rrezikohen qytetarët dhe bizneset e vendit, ministri Shala do të ndërmarrë vendime që i mbrojnë qytetarët e vendit”.