Ende pa marrëveshje për kthimin e PD-së në Kuvend
Dita e hënë nuk u finalizua me një marrëveshje mes shumicës parlamentare dhe opozitës për kthimin e kësaj të fundit në Kuvendin e Shqipërisë. Pavarësisht eurodeputetëve të ardhur në Tiranë posaçërisht për të negociuar mes palëve, PD nuk është e bindur për heqjen dorë nga bojkoti.

Lajme
Pas dy takimeve të zhvilluara me eurodeputetin Eduard Kukan, dhe pas mbledhjes së gjatë me grupin parlamentar të PD, kreu i opozitës Lulzim Basha tha se ende nuk ka një marrëveshje konkrete, ndërkohë që negociatat vazhdojnë.
Megjithatë ai tha se deri tani ecuria është pozitive dhe se opozita nuk do paraqesë asnjë pengesë që procesi i nisur nga eurodeputetët të përmbyllet me sukses.
“Për ne është e rëndësishme të ndodhë sipas parimeve dhe standardeve europiane. Sigurisht se nga ana jonë nuk ka asnjë pengesë dhe nuk do të ketë kurrë asnjë pengesë për përmbylljen me sukses të këtij procesi për të cilën janë të ndërgjegjësuar edhe ndërmjetësit europianë të të dy krahëve politikë. Duke qenë në proces negociatash, nuk më mbetet gjë tjetër veçse të shpreh besimin se përpjekja e tyre, përpjekja europiane do të kurorëzohet me sukses dhe t’i bëj thirrje maxhorancës që të jetë konstruktive në përmbylljen me sukses të këtij procesi, sepse shpreh një shqetësim të jashtëzakonshëm të qytetarëve shqiptarë dhe ka mobilizuar si rrallë herë në një front të bashkuar të majtën dhe të djathtën europiane. Për më shumë do ju informoj në vijimësi”, tha Basha.
(KosovaPress)