Elezi: KQZ do t’ua dërgojë brenda disa ditësh fletëvotimet rreth 85 mijë votuesve të regjistruar për votim me postë
Rreth 85 mijë shtetasve të Kosovës, të cilët u regjistruan për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’ua dërgojë pakon me fletëvotim në adresë të tyre, njoftoi zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media. Ai tha se procesi i dërgimit “do të fillojë brenda…
Lajme
Rreth 85 mijë shtetasve të Kosovës, të cilët u regjistruan për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’ua dërgojë pakon me fletëvotim në adresë të tyre, njoftoi zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media.
Ai tha se procesi i dërgimit “do të fillojë brenda disa ditësh”.
“Në përputhje me detyrimet e përcaktuara në Rregulloren Zgjedhore Nr. 04/2025 për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, KQZ do të sigurohet që shtetasve të Kosovës të regjistruar për votim me postë t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotim në adresë të tyre. Procesi i dërgimit të këtyre pakove do të fillojë brenda disa ditësh, ndërsa detyrë e votuesit është që pakon ta dorëzojë përmes postës në adresën e kutisë postare të KQZ-së”, tha Elezi.
KQZ u kishte dërguar fletëvotimin origjinal votuesve të regjistruar edhe në zgjedhjet lokale të tetorit dhe ato parlamenare të dhjetorit.
Në bazë të të dhënave preliminare, nga fillimi i këtij procesi më 6 maj dhe deri në përfundim të tij më 17 maj 2026, përmes platformës elektronike janë pranuar 142,803 kërkesa për regjistrim, prej të cilave deri më tani janë aprovuar 109,696, ndërsa 7,325 të tjera janë refuzuar dhe 25,702 janë në pritje për shqyrtim.
Mënyra më e përzgjedhur për të votuar, është votimi përmes postës. Nga 109,696 aplikime të aprovuara, 81,901 shtetas janë regjistruar për t’ua dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës, 2,855 të tjerë për t’ua dërguan pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 24,940 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën prej përfaqësive diplomatike.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votimi jashtë vendit zhvillohet më herët. Së pari, planifikohet që votimi përmes postës të fillojë më 25 maj dhe të përfundojë më 6 qershor, ndërkaq, votimi në përfaqësi diplomatike organizohet më 6 qershor.