Elezi: Deklarimi i Maqedoncit më shumë u bë si presion ndaj partive politike për krijim të qeverisë
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka proklamuar situatë të rrezikshme sigurie në vend, duke thënë se afër 70 përqind e të gjitha kapaciteteve të ushtrisë serbe janë vendosur jo larg Kosovës. Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, vlerësoi se për deklarime të tilla duhet pasur kujdes se si duhet adresuar qytetarëve, sepse siç tha,…

Lajme
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka proklamuar situatë të rrezikshme sigurie në vend, duke thënë se afër 70 përqind e të gjitha kapaciteteve të ushtrisë serbe janë vendosur jo larg Kosovës.
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, vlerësoi se për deklarime të tilla duhet pasur kujdes se si duhet adresuar qytetarëve, sepse siç tha, në këto rrethana shkaktohet panik, sidomos marrë parasysh situatën aktuale politike në të cilën ndodhet Kosova që ende s’ka ndërtuar institucione qeverisëse për të ndërmarrë të gjitha masat e duhura për sigurinë.
Për emisionin ora 7 në Klan Kosova ai theksoi se deklarimi i Maqedoncit më shumë është deklarim politik për të ushtruar presion ndaj partive politike, në rastin konkret për ta zgjedhur qeverinë, sesa është një rrezik real, dhe se shpeshherë kur Lëvizja Vetëvendosje ka pasur probleme të natyrës politike, është marrë me çështje të josigurisë në veri.
“Deklarimi i ministrit, primare është për presion ndaj subjekteve politike, sidomos opozitare që kanë qëndruar deri më tani të bashkuar për mosvotim për kryeparlamentaren. Besoj që do të ketë presion të votuesve në drejtim të përfaqësuesve në kuvend te partitë opozitare, sepse qytetari do të mendojë për sigurinë e tij, për luftën, dhe do të kërkojë që të lënë anash interesat politike dhe të këtë qeveri që do të përballet me një situatë siç e ka paralajmëruar ministri Maqedonci”, deklaroi Elezi.